Virtz, talenti i Leverkusen në lupën e të mëdhave
Jo vetëm trajneri Çabi Alonso por dhe yje të tjerë nga grupi i Leverkusen janë vënë në shënjestër të klubeve të mëdha europiane.
Njëri prej tyre, Florian Virtz është më i kërkuari i momentit. Babai dhe agjenti i lojtarit, Hans-Joakim Virtz, shpjegoi për Sky Deutschland: “Për momentin gjithçka është e orientuar që Florian të qëndrojë sërish në Leverkusen sezonin e ardhshëm”.
20 vjeç, Virtz ka qenë një realitet “aspirinë” që kur nuk ishte ende i rritur mirë. Një ndalesë për shkak dëmtimi (9 muaj) pengoi lojtarin e ri të shfaqte më herët cilësitë por këtë sezon mesfushori sulmues ka bërë 19 paraqitje, duke shënuar 6 gola dhe duke dhënë 10 asistime.
Bajern Mynih, Real Madrid dhe Mançester Junajtid janë në sy të tij. Kontrata e tij me Leverkusen skadon në vitin 2027.