Drejt Londrës, sot finalisti i parë i Champions League

PSG-Dortmund (0-1) sot ora 21:00, nesër finalisti tjetër mësohet nga Real- Bajern (2-2).

Do të mësohet këtë mbrëmje (21:00) finalisti i parë i Ligës së Kampionëve të sezonit 2023/2024.

Në Paris (Parc des Princes) PSG-Dortmund për të kthimit. Qëllimi i vetëm për të prekur Londrën me 1 qershor ora 21:00 në finalen e madhe. E gjitha nis nga 0-1 për gjermanët me atë gol të shënuar nga Niklas Fylkrug në të 36′-ën e ndeshjes së parë.

PSG, e cila nuk luajti këtë fundjavë në Ligue 1, u përgatit për përballjen e sotme me ambicje reale për të prekur finalen e Ligës së Kampionëve. Trajneri spanjoll i vendasëve Luis Enrike është i bindur se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë ku francezët krijuan disa mundësi, e goditen dy herë shtyllën me Mbape e Hakimi.

PSG ëndërron finalen e saj të dytë të turneut madhor pas asaj që humbi kundër Bajernit katër vite më parë në Lisbonë në një stadium të zbrazët (Da Luz) për shkak të rregulloreve të rrepta kundër COVID19. I mungon Lukas Hernandez pas dëmtimit të rëndë (këputje ligamenti) dhe operacionit të kryer në Austri.

Nga kampi verdhezi, pak para nisjes për në Paris foli Sebastian Kehl, drejtori sportiv i Dortmundit. Ai komentoi: “Do të duhet shumë guxim, por edhe shumë qetësi, optimizëm por dhe tension që është pjesë e një gjysmëfinaleje të Champions League.

Ne kemi krijuar një rezultat të mirë gjatë javës së kaluar për të mbajtur gjallë ëndrrën e Wembley. Do të kemi nevojë për një paraqitje vërtet të mirë”.

Kjo ndeshje gjykohet nga italiani Daniele Orsato.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!