Ballkani i Dajës, di si shkohet në Grupe

Conference League, play off:
Ballkani – BATE Borisov 4-1
Struga – Breidablik 0-1
Ndeshjet e para “play-off” i kanë luajtur sot edhe Ballkani e Struga. Skuadra e Ilir Dajës vijon me paraqitjet e mira në Conference League me këtë të sotmen ndaj BATE Borisov, luajtur në “Fadil Vokrri” teksa fitoi me përmbysje 4-1.
Miqtë nga Bjellorusia morën avantazhin në minutën e dhjetë me Laptev, por më pas Jashanica riktheu baraspeshën dhe Tolaj shpërtheu 2 herë për të mbërthyer fitoren.
Në limite vjen dhe firma e Thaqit me dardanët që marrin një fitore plot siguri në rrugëtimin drejt grupëve.
Me këtë rezultat, Ballkani është shumë pranë përsëritjes së historisë për t’u bërë sërish pjesë e fazës së grupeve në këtë kompeticion.
Sakaq, Struga pësoi një humbje minimale në shtëpi ndaj Breidablik. Gjithçka u mbyll në shifrat 0-1 me golin e Gunlaugson në minutën e 35′-të që vendosi fatet e sfidës.
Për ekipin e Shpëtim Duros ka dhe të ndëshkuar me Zguron që u “skuq” në shtesë. E kthimit do të luhet një javë më pas me llogaritë që nuk janë mbyllur ende. /Sara Gjidiaj/