Tirana prek finalen, Vllaznia eviton humbjen në shtesë

Kupa e Shqipërisë, gjysmëfinale:
Tirana – Teuta 3-0 (Hasani 43′, Lulaj 65′, Lushkja 71′)
Vllaznia – Egnatia 1-1 (Hoxhaj 90’+5’/Duamena 69′)

Akti i parë i gjysmëfinaleve të edicionit të 71-të të Kupës së Shqipërisë u luajt ditën e sotme. Tirana duket shumë pranë finales, ndërsa Egnatia dhe Vllaznia u ndanë në barazim të vulosur në frymën e fundit.

Rrogozhinasit ia vështirësuan Vllaznisë në “Loro Boroçi” duke u kthyer në makth edhe për shkodranët. Pas një pjese të parë deri diku të kënaqshme, por edhe me shumë gabime nga të dyja ekipet teksa nuk mundën të shfrytëzonin rastet e krijuara, rezultati ndryshoi në fraksionin e dytë të sfidës.

Ishte Duamena ai që kaloi Egantian në avantazh me realizimin në minutën e 69′-të si në shenjë shpërblimi pas shtyllës që ndali një predhë të sulmuesit në 45-minutëshin e parë.

Sakaq, kuqeblutë, fitues të këtij kompeticioni 2 herë radhazi në vitet e fundit, nuk dhanë maksimumin në këtë provë të parë. Sulmet u intensifikuan vetëm pak minuta nga fundi ku erdhi dhe goli i barazimit falë Hoxhajt.

Ndërkohë, llogaritë janë të hapura dhe mbetet për t’u parë se për kë do të shkojë bileta e finales.

Elbasan:

Surprizues rezultati edhe në gjysmëfinalen tjetër mes Tiranës dhe Teutës luajtur në ‘Elbasan Arena’. Bardheblutë fituan me rezultatin e thellë 3-0 ndaj durrsakëve jo me shumë ambicie në këtë duel.

Hasani, Lulaj dhe Regi Lushkja ishin protagonistët e këtij triumfi që shuan shpresat e Teutës për finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi do të duhej një mrekulli për durrsakët që të përmbysin një rezultat të tillë.

Ndeshjet e kthimit do të luhen më 11 maj për të përcaktuar zyrtarisht finalistet e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë, që ashtu si kampionati ka prodhuar surprizat e saj. Më pas finalja më 1 qershor 2023./S.Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!