Laçi nuk përfiton, Silvinjo ndjek takimin në impiantin “Partizani”

Abissnet Superiore, Java 30:
Egnatia – Laçi 1-1 (Xhekson 62′ pen/ Guindo 50′)

Laçi nuk thyen dot mallkimin as në provën e fundit sezonale ndaj Egnatias. Dueli me aromë “Europe” i luajtur në ‘Kompleksin Partizani’ u mbyll në barazim 1-1.

Pak për të folur sa i përket 45-minutëshit të parë. Munguan rastet e rrezikshme nga të dyja kampet dhe një karton i kuq që la rrogozhinasit me 10 lojtarë. Ishte Zejnullai i ndëshkuari i minutës së 25′-të pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Roganoviç.

Tjetër panoramë dhuron pjesa e dytë e cila nis me gol nga kurbinasit. Guindo kalon në avantazh bardhezinjtë pas një aksioni të rrjedhshëm atëherë kur u duk se Egnatia po bënte më mirë.

Festa e Laçit nuk do të zgjasë shumë pasi një penallti e shkaktuar nga Roganoviç dhe e kthyer në gol nga Xhekson do të vendosë sërish balancën në rezultat.

Edhe një herë kurbinasit do të provojnë të shfrytëzojnë superioritetin numerik dhe të shfaqen rrezikshëm në zonën e rrogozhinasve. Turkaj do të gjejë golin me kokë por ndërhyrja e sistemit VAR e konsideron të parregullt për një pozicion jashtë loje.

Të luftuara në maksimum minutat e mbetura nga të dyja ekipet me Egnatian që del me të gjitha forcat përpara dhe Laçin që këmbëngul për avantazhin. Pavarësisht kësaj, as porta e Sherrit dhe as ajo e Selmanit nuk shohin topin të depërtojë në to deri në vërshëllimën e fundit.

Skuadrat mbeten 3 pikë larg njëra-tjetrës me Egnatian që renditet e treta dhe Laçi i pesti. Egnatia ka 43 pikë, një më shumë se Vllaznia që luan pas pak, ndërsa për ekipin e Stavri Nicës numërohen 40 pikë.
/S.Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!