Xhiroja e 30-të, Superiorja ka një…klasike

Përgatiti: Erga Kenga

Me Egnatia-Laçi për t’u luajtur sot në 15:00 në ‘Kompleksin Partizani’ (pa tifozë), nisin zyrtarisht takimet e kësaj jave të 30-të Abissnet Superiore e cila po sot sheh në fushë duelet Teuta- Erzeni dhe klasiken e futbollit shqiptar Vllaznia- Tirana.

E diela ofron dy duelet e fundit të kësaj xhiroje. Sikundër dhe në mesjavë teksa Kastrioti zhvilloi takimin e prapambetur me Bylis, edhe ndaj Kukësit, krutanët do presin në ‘Elbasan Arena’.

Ndërkaq kjo xhiro mbyllet nga çifti Partizani-Bylis në Tufinë aty ku të kuqtë kanë shtëpinë e tyre. Për skuadrën e teknikut Xhovani Kolela, ora e rezultateve me rendiment të ulët ka përfunduar. Gjithnjë nëse duan të sulmojnë titullin e 17-të.

Egnatia- Laçi:

Dy skuadra që ndahen me tri pikë. Egnatia ka fituar tre ndeshje e këtij sezoni dhe ka eleminuar në çerekfinale të Kupës së 70-të kurbinasit. Të pezulluar nga Disiplina rrogozhinasit do duhet të luajnë në kryeqytet ndaj bardhezinjëve duke pasur kontigjentin e plotë. Në anën tjetër skuadra kurbinase me Nicën në timon ka dy fitore radhazi ndërsa edhe sot durrsaku i pankinës laçiane i ka të gjithë të gatshëm.

Teuta-Erzeni:

Ky figuron derbi më i ri i viteve të fundit. Teuta nuk po kalon një moment fort të mirë dhe e sheh vetën te zona Play Out ndërsa po në këto ujra duket dhe skuadra fqinje nga Shijaku. Durrsakët e Martinit kanë 5 ndeshje pa fitore. Po ashtu Erzeni i cili në 4 takime nuk e njeh shenjën 1.Te Teuta do mungojë Karabeci ndërsa rivali flet vetëm për rikthime çka mund ta kthejë këtë duel një supesfidë më vete.

Vllaznia-Tirana:

Klasike për një klasike. Në “Loro Boriçi” ndërsa Goce Sedloski ka rikthyer besimin (një fitore shtëpiake dhe një barazim në transfertë) te Vllaznia, sfida mes kuqebluve dhe bardhebluve vlerësohet si më e forta e kësaj jave të 30-të. Vendasit janë në kërkim të 3 pikëve për të ruajtur trendin e një vendi në Europë ndërsa Tirana për të konsoliduar kreun. Me një numër të shtuar të tifozerisë në tribuna, spektakli duket i garantur. Sikundër në duelet e tjera të ditës edhe kjo sfidë nuk do të preket nga mungesat në kampet respektive.

Java e 30- të Abissnet Superiore:

Sot:

15:00

Egnatia- Laçi (Kompleksi Partizani)

18:00

Teuta- Erzeni

Vllaznia- Tirana

Të dielën:

15:00

Kastrioti- Kukësi (në Elbasan)

18:00

Partizani- Bylis

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!