Tirana vret kampionatin, zgjohet Teuta

  • Klasike e fituar nga bardheblutë të cilët zgjasin duart drejt titullit kampion. Teuta mbretëron në derbin rajonal dhe sposton Kukësin te zona Play Out.

Abissnet Superiore, Java 30:
Vllaznia – Tirana 0-1 (Abazaj 43′)
Teuta – Erzeni 2-0 (Kallaku 64′ pen, L. Vila 75′)

Klasikja ngjyroset bardheblu teksa derbi durrsak flet për Teutën. Ishin këto dy sfidat e tjera të xhiros së 30-të Abissnet Superiore ku Tirana dhe Teuta arritën të merrnin nga 3 pikë.

Në “Loro Boriçi” Tirana kaloi Vllazninë me golin e Abazajt të shënuar në fund të pjesës së parë. Ishin më të qartë dhe më konkretë bardheblutë në lojën e tyre përballë një Vllaznie pa shumë ide.

Kuqeblutë zgjohen shumë vonë dhe e mbyllin takimin në sulm por duke shpërdoruar shumë. Asnjë nga rastet e tyre nuk finalizohet me gol dhe kështu fitorja shkon për kryeqytetasit.

Tashmë diferenca nga Partizani i vendit të dytë që luan nesër ka shkuar në 8 pikë dhe Tirana sheh nga titulli, ndërsa Vllaznia nuk lëviz nga vendi i katërt ku pozicionohet me 42 pikë.

Sa i përket derbit në “Niko Dovana” ishte Teuta ajo që u rikthye te fitorja përballë Erzenit. Vendosi penalltia e saktë e Kallakut dhe goli i Lorenco Vilës. Në fund, Çyrbja humb një tjetër penallti për durrsakët me sferën që kalon mbi tra.

Kështu, Teuta merr 3 pikë me vlerë që e largojnë nga rreziku i fundtabelës, teksa Erzeni duket në rënie të lirë. Shijakasit gjenden të shtatët me 38 pikë, po aq sa kundërshtarët e tyre në sfidën e sotme./Sara Gjidiaj-Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!