Mehmeti: Ndaj Egnatias tre mungesa, ia dalim

Partizani pritës ndaj Egnatias nesër në “Elbasan Arena”. Për javën e 25-të të Abissnet Superiore me start orën 16.45 të kuqtë më të bindur se kurrë për të mbërritur te tri pikët. E tha trajneri Dritan Mehmeti në konferencë.

Mehmeti:

Nga Egnatia te Egnatia, çfarë ka ndryshuar te Partizani? Ndryshimet kanë ardhur gradualisht dhe tani ne organizojmë ndryshe lojën dhe kemi tjetër ritëm. Mendoj se duhet të kishim marrë më tepër për atë që kemi dhënë në fushë, por ky është futbolli. Nesër ndaj Egnatias është një ndeshje tjetër, pasi kundërshtari ka ndryshuar dhe është përmirësuar ndjeshëm, ndaj duhet t’i japim rëndësinë e duhur për të marrë maksimumin.

Si është gjendja e të dëmtuarve? “Duke marrë parasysh kalendarin e ngjeshur, është normale që të përballemi edhe me dëmtime. Cara nuk është ende në maksimum, ndërsa stafi mjekësor duhet të marrë një vendim edhe për Bitrin, që ka kaluar një gjendje virale. Edhe Kallaku nuk është në maksimum, që kur kaloi koronavirusin, ndaj edhe nuk po jep më të mirën në fushë. Sapo të rikuperojmë fizikisht Kallakun, do të shfaqim edhe ne një tjetër fytyrë në lojë. Bitri është më mirë, por edhe Cara besoj se do t’ia dalë, ndërsa në dyshim janë Kallaku e Mala.”

Sa e vështirë do të jetë që Partizani të kalojë Vllazninë kampione në fuqi? “Të jem i sinqertë unë jam munduar të orientoj skuadrën drejt ndeshjes së radhës dhe të përqendrohemi maksimalisht aty. Skuadra është ndërtuar për objektiva madhorë, pavarësisht vështirësive në fillim të sezonit dhe Europa e Kupa janë objektiva minimalë për ne. Të gjithë lojtarët e dinë peshën e fanellës që kanë veshur dhe duhet t’i përgjigjen presionit, pasi në të kundërt do të thotë që nuk e meritojnë të rrinë këtu.

E vështirë është të motivosh ekipin ndaj Egnatias? “Motivimi i skuadrës është gjithmonë më i vështirë, kur gjen përballë kundërshtarë si Egnatia, pa shumë emër, por që janë shumë të organizuara mirë në fushë. Është e lehtë të motivosh ekipin në derbi, apo përballë skuadrave si Vllaznia e Kukësi, por të tilla sfida të nxjerrin shumë probleme. Pikërisht për këtë arsye kam punuar shumë për të rritur përqendrimin te lojtarët dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj sfide, pasi Egnatia ka një grup shumë të mirë dhe për më tepër, shumë individualitete që bëjnë diferencën. Duhet të mos nxitohemi dhe të presim momentin e duhur për të goditur.

Çelsi i mundëshëm nesër? “Ne duhet të kemi personalitetin e duhur në fushë dhe të imponojmë ritmin e lojës. Duhet të kontrollojmë gjithçka dhe të godasim në momentin e duhur për të marrë fitoren.

Keni folur me Stenio Zhuniorin për atë rast të humbur në derbi? “Unë e kam lënë shumë të qetë lojtarin sa i përket rastit në derbi, pasi nuk më shqetëson aspak një rast i vetëm. Ajo që mua më shqetëson, është forma që ai po kalon, pasi është një futbollist cilësor dhe ka ardhur për të bërë diferencën këtu te Partizani.

Po kalon një moment të vështirë, por besoj që do ta kalojë shpejt. Ai vuan shumë në 20 metrat e fundit, por punon mirë në 1/3-at e fushës”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!