Trajnerët rezistojnë, i shpëton barazimi…

Edi Martini i Teutës, Migen Memelli i Skënderbeut dhe Tomas Brdariç i Vllaznisë teknikët më të sigurtë të momentit në ‘Abissnet Superiore’

Rezultatet e javës së tretë me me 5 barazime në po aq ndeshje, duket se kanë shpëtuar edhe për këtë javë pankinat e teknikëve të Abissnet Superiore.

Mësuar me largime që në javë të tretë, shihet se presidentët e elitës këtë sezon, shfaqen më të duruar në vendime ekstreme.

Po kush është pranë rrezikut?

Tirana- Laçi në program të dielën mund të ketë ndonjë të re. Bardheblutë pas fitores me Skënderbeun, u ndalën në dy takime të tjera në barazim me Egnatian dhe Kastriotin. Projeksioni ishte 9 pikë.

Kështu, Shehit mund t’i bjerë shishja e ujit nga dora. (Metafora; Një shishe uji që durrsaku e mban gjithnjë në duar kur drejton Tiranën). Gjithnjë nëse del i humbur me kurbinasit. Këta të fundit janë më keq. Pavarësisht se në tri javë janë ndeshur me skuadra të forta, trajneri i ri Vukiçeviç, nuk po arrin ende të marrë një fitore.

Daja te Partizani asnjëherë nuk është diskutuar por një humbje me Dinamon në Elbasan do të vendoste shënjën e pikëpyetjes te ajo që mund të quhet “i paprekshëm” (Presidenti Demi pati deklaruar kur e afroi te të kuqtë se Daja e ka të përjetshëm vendin e punës).

Diego Longo te Kukësi duket i sigurtë pas dy fitoreve dhe një barazimi por kur mendon se gaboi totalisht me ndrrimet në barazimin dramatik me Laçin në Kamëz (Kukësi udhëhiqte 0-2), gjërat nisin e peshohen…

Bledi Shkëmbi ka një raport të mirë me skuadrën dhe drejtuesit te Dinamo. Nuk ka bërë më të mirën pasi blutë kanë prodhuar lojë por në ndonjë rast mekanizmi ka ngecur. Shkëmbi justifikohet me pikët…

Ramazan Ndreu te krutanët mund të flejë i qetë. Argumentë të shumtë në favor. Një skuadër e riformatuar vonë. Një klub që identifikohet ndër ‘breza’ me Ndreun, luan gjithnjë jashtë dhe një kalendar që nis të jetë në anën e Kastriotit. Por…

Paqe dhe për Gugash Maganin e Egnatias. Peqinasi e ka shtruar vetë rrugën e ngjitjes së rrogozhinasëve në elitë. Përmes besimit të stafit presidencial. Atmosfera ende pa ngjizjen e pozicionëve të reja.

Ndërkaq të paprekshmit e momentit janë Edi Martini i Teutës, Migen Memelli i Skënderbeut dhe Tomas Brdariç i Vllaznisë. /Sporti im.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!