Skënderbeu ‘përcjell’ Erzenin, Dinamo ndalet nga Laçi

Abissnet Superiore, Java 33:
Dinamo – Laçi 0-0
Skënderbeu – Erzeni 1-0 (Janaqi 7′)
Katër skuadra zbarkuan në fushë për të hapur javën e 33-të Abissnet Superiore. Në “Elbasan Arena” skuadrat ndanë pikët ndërsa në Korçë festa ishte për vendasit.
E qetë pjesa e parë mes Dinamos dhe Laçit, teksa asnjëra nga skuadrat nuk rrezikoi shumë dhe as nuk prodhoi shumë raste duke u treguar të kujdesshme për të ruajtur portat e paprekura.
Ndryshe nisi përballja mes juglindorëve dhe shijakasve ku që në minutën e shtatë Janaqi tundi rrjetën e miqve duke kaluar përpara të tijtë me një gol që në fund do të kishte vlerën e 3 pikëve.
Nuk ndryshon asgjë në pjesët e dyta, përveç numrit të lojtarëve në fushë për Erzenin pas ndëshkimit me të kuq të Mëllugjës. Shtohet ritmi sakaq në Dinamo – Laçi por nuk zhbllokohet rezultati deri në vërshëllimën e fundit të Dodës.
Sa i përket renditjes, Skënderbeu dhe Dinamo barazohen me pikë, 47 të tilla, duke u pozicionuar në vendin e katërt dhe të pestë. Erzeni mbetet në të nëntin me 31 pikë dhe vështirëson gjithçka ndërsa Laçi në vendin e shtatë me 39 pikë mban sytë nga Kukësi – Teuta që do të luhet ditën e nesërme./Sara Gjidiaj/