Vjen derbi, Tirana-Partizani nën trysninë e…pikëve

  • Tirana- Partizani (java e 33) sot në orën 19:00 në “Air Albania Stadium”.Dy rivalet historike për një tjetër duel të paparashikueshëm. Pritet dyndje tifozësh.

Radhën e ka derbi Tirana- Partizani. Ai që konsiderohet si takimi më i kërkuar në futbollin shqiptar. Jo vetëm pse dy skuadrat e mëdha në përballjen e 4-ët sezonale kanë domosdoshmëri pikët maksimale por dhe për atë që kur luhet Tirana- Partizani apo Partizani- Tirana, Superiorja ‘ndal e ndal’.

E kanë bërë në 173 duele në gjithë historinë e tyre. Me pikë kulmore kryesisht tani ‘vonë’ teksa skenën më së shumëti e merr tifozeria e tyre në shkallë. Disa herë duke abuzuar me situatën fair play…

Por tej protagonizmit ekzaltues në tribuna, faktori futboll në fushë shpesh ka treguar se llogaritë në pikë, nuk varen dhe aq nga momenti që skuadrat mbartin, apo më shkoqur, në çdo derbi, favoriti mbetet vetëm te kuota 50%.

Kthyer te renditja aktuale, bardheblutë janë disa pikë prapa (46) ndërsa të kuqtë kanë aktualisht (51) pesë pikë më shumë. Erbim Fagu, trajneri i Tiranës pritëse në këtë megaderbi numër 174, do të ketë shansin e parë për të dalë fitues në një duel të tillë.

Për homologun e tij Orges Shehi historia thotë se durrsaku ka shijuar fitore e zhgënjime në sfida të tilla me adrenalinë të lartë. Te të dyja skuadrat.

Sidoqoftë të dy teknikët dikur bashkë te Tirana (trajner&ndihmës), do të bëjnë në fushë me futbollistët e tyre. Në kampin bardheblu ka disa pikëpyetje. Dy nga boshti i skuadrës; Najdovski dhe Latifi mbetën në pikëpyetje. Megjithatë Tirana ka grupin për të tentuar suksesin e orës 19:00, e rimarrë vendin e 4 në tabelë, objektivi kryesor sezonal.

Te Partizani situata shumë më ndryshe. Shehi ka vetëm një mungesë dhe ajo lidhet me mbrojtësin e majtë David Atanaskoski. Pjesa tjetër (të kuqtë kanë shumë alternativa) gati. Triumfi i Partizanit në këtë takim do ta bënte skuadrën e ‘demave’ favorite për të kapur vendin e dytë.

(Tre ndeshjet e para kanë prodhuar dy fitore për Partizanin me shifrat e njëjtë 2-1 dhe një barazim me gola 1-1)

/ Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!