Rifillimi, Tirana vazhdon me “hap” kampioni

Kampionati i 81-të Kombëtar i Superiores, pas një ndërprerjeje që nga 9 marsi, sot në mesditë rinisi. U luajtën katër ndeshjet e para, të cilat nga që na kishte marrë malli për futbollin, na u duk se filloi atje e kishim lënë, paçka se stadiumet ishin të boshatisur. Pas përfundimit të këtyre takimeve, tabela e renditjes nuk ndryshoi…

Bylis – Tirana 1-3 (Peposhi 66’/Kobina 27’, Batha 45+3’ (p), Muça 72’)

Bardheblutë e Tiranës, ndryshe nga parashikimet, i kaluan me lehtësi ballshiotët e Bylisit. Goli i Peposhit, që ndëshkoi ish-skuadrën e tij, krijoi pas entuziazëm te vendësit, të cilin kapiteni Gentian Muça do ta fashiste, duke vulosur fitoren e merituar 3-1 të kryeqytetasve. Ishte suksesi i 13-të radhazi i bardhebluve të Tranës, që po vazhdojnë të ecin me “hap” kampioni…  

Laçi – Teuta 1-1 (Xhixha 45+2’/Kallaku 12 (p)

Takimi në Laç u mbyll në barazim, rezultat i cili duhet t’i kënaqë “djemtë e detit” të Teutës. Bardhezinjtë kurbinas, pas golit të pësuar, ushtruan më tepër presion ndaj kundërshtarit. Ata ia arritën të barazojnë me Xhixhën, por laçjanët, veçanërisht me Lushkjen, do të shpërdoronin mjaft raste për të arritur fitoren dhe 3 pikët e “shumëkërkuara” nga skuadra e Cungut. Gara midis Laçit dhe Teutës për një biletë europiane vazhdon…

Flamurtari – Vllaznia 1-3 (Oliviera 90+3’/G.Lika 70’(p) 90+2’, Zhunior 75’)

Ashtu si kundër parashikohej, Vllaznia arriti një fitore të lehtë në Vlorë ndaj Flamurtarit, që me kohë “shikon” nga Kategoria e Parë. Sulmuesi Gilman Lika u tregua kapiten i vërtetë për skuadrën shkodrane, që mori 3 pikë tepër të vlefshme. Ai shënoi dy gola, të cilëve iu bashkua edhe ai i brazilianit Zhunior. Oliviera, një tjetër brazilian por në radhët e vlonjatëve, shënoi golin e nderin për Flamurtarin.

Kukësi – Luftëtari 2-1 (Gavazaj 8’, Abazaj 95’/Mehmetllari 68’(p)

Surpriza për pak mund të ndodhte në “Elbasan Arena”. Pasi shënuan mjaft shpejt me anë të Gavazajt, kuksianët e “fjetën” mendjen dhe e menduan ndeshjen te fituar. Por gjirokastritët përfitojnë dhe prekjen e topit me dorë nga Kotobelli, e shndërrojnë në gol nga pika e penalltisë me anë të Mehmetllarit. Kuksianët do t’i shpëtonte nga ankthi Abazaj, pas atij goli shumë të bukur në fundin e ndeshjes, që do t’i jepte 3 pikët verilindorëve për të vazhduar pretendimet për titull, edhe pse 9 pikë larg Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!