Vllaznia: ‘Fajin e ka Jorgji’…

 Pas zhvillimeve intensive gjatë takimit të djeshëm por dhe pas saj mes Vllaznisë dhe Tiranës, teksa vendasit patën kontestime për trupën gjykuese, klubi shkodran, ka reaguar sot përmes një postimi në rrjete duke treguar e nënvizuar disa situata që u diktuan nga treshja e gjyqtarve në këtë takim të përfunduar 0-2 për tiranasit.

Në Reagim, nuk mungon as falenderimi për tifozerinë kuqeblu.

DEKLARATË  E KLUBIT TË FUTBOLLIT VLLAZNIA:
Klubi i Futbollit Vllaznia falenderon tifozerinë e mrekullueshme shkodrane për mbështetjen në ndeshjen me Tiranën. Si gjithmonë, tifozeria ishte “lojtari i 12-të” për kuqeblutë. Nga shkallët e “Loro Boriçit” por edhe nga filmimet e mediave, u pa qartë se Vllaznia u penalizua nga një gjykim aspak profesional, aspak i paanshëm i arbitrave të ndeshjes dhe sidomos kryesorit Enea Jorgji.

 Një sjellje e tillë e arbitrave penalizoi Vllazninë me mohimin e dy penalltive, njëra nga të cilat u pranua dhe nga vetë trajneri i ekipit kundërshtar dhe të gjithë specialistët në studiot sportive. Gjatë gjithë ndeshjes, sjellja arrogante e arbitrit ishte provokuese dhe në dëm të garës e rezultatit të saj, rezultat i cili nuk reflektoi atë që u tregua në fushën e blertë. Kjo jo vetëm acaroi futbollistët në fushën e lojës, por krijoi reaksion edhe tek tifozeria në shkallët e stadiumit.

Në Shkodër është luajtur dhe luhet futboll gjithmonë. Në “Loro Boriçi” janë duartrokitur ekipe që edhe kanë shënuar ndaj Vllaznisë tonë. Shkodra ka dhe do të ketë gjithmonë tifozerinë më të mirë në të gjithë Shqipërinë sepse Shkodra dhe futbolli janë në një simbiozë mëse njëshekullore. Arbitrimi i Enea Jorgjit dhe ndihmësve të tij, solli një rezultat aspak të merituar për Vllazninë, e cila sivjet ka objektiva të qarta.

Sivjet, Vllaznia me skuadrën që ka ndërtuar, me stafin teknik të përzgjedhur, ka synim të luftojë fort dhe ndershmërisht për trofetë e sezonit dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.  Si gjithmonë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi në fushën e blertë e jashtë saj, gjykim të paanshëm dhe profesional në “Loro Boriçi” dhe në çdo stadium tjetër”-thuhet në deklaratë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!