Në 125-vjetorin e Mercedesit, Hamilton i pari

● Skuderia Mercedes përkujton përvjetorin e garës së pare me një “look” të veçantë në veshje. Ferrari zhgënjen në konkurrim për defekte në makinë

Ljuis Hamilton do të niset i pari nesër në garën për Çmimin e Madh të Gjermanisë për botërorin e Formula 1. Piloti i Mercedesit, me numër 44, fitoi konkurrimin për “pole-position” që u zhvilluan para pak çastesh në cirkuitin e Hokenhemit, duke rregjistruar kohën 1:11.767.

Pas tij u rendit piloti i Red Bullit, holandezi Maks Verstapen me +0.346 sekonda, ndërkohë që finlandezi Valteri Botas, piloti i dytë i Mercedesit, do të niset nga pozicioni i tretë, pas kohës +0.362 sekonda që rregjistroi në sesionin e tretë të provave.

Në këtë garë, që përkonte me 125-vjetorin e garës së pare të Mercedesit, konkurrenca ishte vetëm midis dy skuderive, “zotërve të shtëpisë”, Mercedesit dhe fqinjëve të tyre austriakë të Red Bullit. Ato ishin më komodë se kurrë.

“Kokëkuqja” italiane Ferrari ishte më tepër se zhgënjyese. Piloti Sebastian Fetel, për një defekt në makinë nuk arriti të kualifikohet as në sesionin e parë, çka nënkupton që nesër do të startojë nga vendi i 20-të, pra i fundit.

Ndërsa piloti tjetër Çarls Leklerk, i cili kishte bërë një performacë premtuese në provat e lira, në sesionin e tretë nuk doli fare nga bokset, për një defekt në makinë, duke u pozicionuar në vendin e 10-të për nesër në start.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!