Kukësi “i lodhur”, Frashëri gabon sërish…

● Verilindorët tentojnë përmbysjen e madhe. Në momentin deçiziv, “senatorët” tregohen të thjeshtë. Kukesi eliminohet që në turin e parë të Europa League nga Debrecen.
Kukësi-Debrecen 1-1 (Ethemi 17’/ Satmari 58’)
Shpresat e Kukësit për të përmbysur Debrecen, morën një goditje fatale në pjesën e dytë. Goli i parë i verilindorëve në të 17-tën me Ethemin, u duk si sinjali i duhur për ekipin e Gjokës që pas golit, pritej të shfaqej më agresiv e produktiv.
Në fakt Kukësi iu afrua disa herë golit të dytë, por paradoksalisht, mundësinë e artë për të dyfishuar që në pjesën e parë, e pati sërish autori i golit Ethemi.
Pjesa e dytë nisi sërish me vrull për nënkampionët e Shqipërisë. Veçse me kalimin e minutave, skuadra u tkurr dhe lojtarë si Shkurtaj, Rroca e Rama, në vend që të ndihmonin grupin drejt lojës grintoze, bien disi, e për pasojë, miqtë kurajozë afrohen shpesh me barazimin.
Në fakt ai do të vijë nga një gafë e portierit Frashëri, që sikurse në të vajtjes, është shfaqur i pasigurtë. Në 58-tën harkimi i topit nga e majta, thyen gishtërinjtë e korçarit, teksa pas shpine, me portën e boshatisur, Satmari, godet për 1-1.
Përpjekjet e Kukësit për të rihapur takimin, janë të zbehta dhe deri në fund, skuadrat luajnë hapur. Mbyllet në barazim kjo ndeshje që favorizon hungarezët. Rezultati 1-4 në favor të Debrecenit, iu jep të drejtën atyre të shohin në turin pasardhës.