Teuta gjen fitoren, ndalet Kastrioti…

● Te durrsakët rikthehet buzëqeshja, fitojnë 1-0. Mbrojtësi krutan Shehu shkakton autogol në një takim mjaft të luftuar

Më së fundi, dy humbjesh dhe një barazimi, “djemtë e detit” të Teutës gjejnë fitoren 1-0 ndaj Kastriotit dhe në radhët e tyre rikthehet buzëqeshja e munguar thuajse prej një muaji.

Por për këtë në “ndihmë” u erdhi një krutan. Ishte minuta e 24-t, kur pas një goditjeje këndi, mbrojtësi Julian Shehu, në përpjekje për ta larguar topin, e dërgon në rrjetën e portës së tij.

Kaq mjaftoi që durrsakët të fitonin ndeshjen, e cila u zhvilluar tepër e ashpër dhe e luftuar deri në aksidente. Kështu, nga fusha lojës për shkak dëmtimi “durrsaku” Sidibe dhe “krutani” Shehi u larguan nga fusha me autoambulacë në drejtim të spitalit për të ndihmë më të specializuar.

Në fundin e ndeshjes, futbollistët e Kastriotit i vunë në pozita të vështira durrsakët për të ruajtur epërsinë e “dhuruar” nga autogoli i miqve. Por gjithsesi, ata ia arritën ta menaxhojnë lojën dhe të inkasojnë 3 pikë me mjaft vlerë për ta.

Teuta shkon në kuotën e 43 pikëve, duke u shkëputur me plot 5 pikë nga ndjekësja më e afërt, që tashmë është Flamurtari. Nga ana tjetër, Kastrioti, komplikon më tepër rrugën drejt mbijetesës.

Të dy trajnerët, pas ndeshjes në mikrofonin e Supersportit do të shpreheshin për takimin:

Trajneri Bledi Shkëmbi i Teutës: “E kisha menduar shumë të vështire, pasi përveç pjesës psikologjike, që kishte shkaktuar një periudhë jo e mirë, ishte edhe ekipi kundërshtar, që po bën një kampionat mjaft të mirë në këtë gjysmë të dytë të sezonit. Ata luajnë në mënyrë shumë agresive dhe nuk të lejojnë të dalësh në lojën e duhur.”

Trajneri Bledar Devolli i Kastriotit: “Më vjen keq për çunat, pasi morëm një gol të shpejtë, por vuajtëm të dalim në lojën tonë. Megjithatë bëmë një punë mjaft të mirë dhe vumë në vështirësi Teutën në pjesën e dytë, ashtu siç nuk e ka bërë askush. Lufta vazhdon dhe ne do të vijojmë të bëjmë më të mirën për të siguruar mbijetesën”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!