Luftëtari, 3 pikë me vlerë “oksigjeni”

Luftëtari mundi 1-0 kampionët e Skënderbeut, me një gol të Dungës në minutën e 88-të. Tri të çmuara për mbijetesë të gjirokastritëve!

Bluzinjtë e Luftëtarit fituan 1-0 ndaj kampionëve të Skënderbeut, duke arritur një fitore sa të beftë, aq edhe të dëshiruar. Ishte një fitore me vlera me më shumë se sa tri pikë, ishte një fitore me vlera “oksigjeni” në luftën e tyre për mbijetesë.

Bardhekuqtë e Skënderbeut meriton më tepër se sa humbja. Por në këtë takim, ata edhe shtyllat gjirokastrite i kishin kundër tyre. Fillimisht pengesë u bënë për mbrojtësin Kaba, që pas një goditjeje këndi, me koke tronditi tranversën, ndërsa në pjesën e dytë, shtylla pingule ndali edhe goditjen e mjeshtërore të Bregut, që i shpëtoi gjirokastritët për herë të dytë nga pësimi i golit.

Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi pa gola, në minutën e 88-të, Aleksi shfrytëzoi një pasim të gjatë dhe i dhuroi një asist sulmuesit Dunga, ky nuk gaboi. 1-0 për Luftëtarin në delir, ndërkohë që Skënderbeu dëshmoi se ka humbur shumë nga sharmi i kampiones.

Pas ndeshjes, trajneri Julian Ahmataj i Luftëtari, nuk do ta fshihte kënaqësinë e fitores, duke deklaruar: “Rëndësi kishin pikët dhe i morëm përballë Skënderbeut, kampionit që ishte në një formë të mirë. Më duhet të kënaqem me rezultatin, pasi nuk kemi kohë të luajmë bukur. Duhet të shpëtojmë ekipin nga rënia.”

Ndërsa trajneri Orges Shehi i Skënderbeut, u shpreh i shqetësuar për mënyrën disi naïve të pësimit të golave: “Goli nuk na dhemb nga minuta, por nga mënyra si e pësojmë. Është shumë e dhimbshme. Duke pasur parasysh mënyrën si e ndërtuam lojën, për ta kapur kundërshtarin në befasi, për këtë tentuam dhe menduam të fusnim Oto Xhonin. Për të marrë thellësinë. Nuk rezultoi e suksesshme. Sërish këtë vendosje do të bëja në fushë, pavarësisht se lojtarët nuk dhanë maksimumin,” – deklaroi ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!