Evolucioni bardhezi dhe futbolli italian pas Atletikos

● Një kryevepër e quajtur Juventus: Dominoi, meritoi dhe fitoi 3-0 ndaj Atletikos. Bardhezinjtë interpretuan në mënyrë fantastike garën që nga minuta e parë deri në të fundit.

Nga Arrigo Saki

Ata dërrmuan një rival të tmerrshëm me inteligjencë dhe kurajë. Ronaldo u ble për të fituar këto lloj ndeshjesh, dhe ai, si profesionist i përsosur, shënoi tre gola duke udhëhequr skuadrën. Sidoqoftë, nuk do të ishte e drejtë që merita të mos ndahej me shokët e skuadrës, të cilët e mbështetën, e furnizuan me vazhdimësi dhe në mënyrë të dobishme.

Urime edhe Alegrit, protagonisti i madh i kësaj fitoreje. Disa herë e kam “këshilluar” të guxojë dhe të na dhurojë një futboll më ofensiv, por ai i tejkaloi pritshmëritë. Duelin me Simeonen e stërfitoi, jo vetëm me taktikë, por edhe me strategji, siç tregojnë edhe shifrat e një ndeshjeje të dominuar anë e kënd.

Filozofi dhe gjenerali kinez, Sun Tzu, thoshte: “Kur strategjia dhe taktika mishërohen tek i njëjti person, ky i fundit bëhet i vështirë për t’u ndaluar”. Masimiliano rrezikoi duke hedhur në fushë debutuesin Spinacola, por pati sukses të njëjtë si në aktivizimin e Kinit. Skuadra e tij shfrytëzoi krahët duke vendosur në një krah pikërisht Spinacolën dhe Manxukiçin, teksa në tjetrin Kanselo, por më së shumti Bernardeski, kishin detyrë të ‘surprizonin’ prapavijën spanjolle, e cila i vuajti shumë duelet një kundër një.

Lojtarët e krahut juventin lëshuan me dhjetëra krosime, të cilat duhen penguar nga çdo mbrojtje, e cila ka si rival Ronaldon, një monstër i lojës në ajër. Portugezi u ndihmua shumë edhe nga Manxukiç, i cili duhet thënë se nuk ishte në natën e tij më të mirë.

Alegri “shpiku” Emre Xhanin mbrojtës dhe mesfushor, që përveçse të ndërtonte, duhet t’i ruante shpinën Kanselos. Alegri synoi te Bernardeski dhe jo te Dibala, por edhe këtu nuk gaboi. Djaloshi i ardhur nga Fiorentina ka të gjitha cilësitë për të qenë kampion.

Trajneri bardhezi mori përsipër rreziqet, të cilat janë baza e çdo aventure. Në këtë mënyrë, ai parashikoi të ardhmen, pa një rrugë të re, e cila jo domosdoshmërisht duhet të përfundojë në maj.

Lojtarët e zgjedhur nga Simeone thjesht ishin fizikisht në fushë. Mbrojtja e tyre e famshme u hap dhe u gris që në minutat e para. Gabuan duke i lejuar iniciativën Juventusit, një rival, i cili gjen te liria shprehjen më të lartë të forcës së saj dhe individëve që e përbëjnë. “Loc Colchoneros” harruan të ushtrojnë trysni dhe të kundërsulmojnë.

Ndaj një Juveje të vendosur e me ide të qarta, pakkush do të kishte mundur të bënte më shumë. Fitorja 3-0 do të rrisë vetëvlerësimin e bardhezinjve, do të shtojë cilësinë në nivele maksimale, por do të sjellë edhe një njohje të vlerës së tyre, sepse më në fund të gjithë shohin te bardhezinjtë një fitues të denjë.

Urime! Nëse bardhezinjtë do të përsërisin këtë paraqitje, do të jenë një shembull i lartë për zhvillimin, përmirësimin dhe rritjen e futbollit italian.

Post Scriptum: Lojtarët juventinë u treguan të gjithë të zotët, por vlerësimet e veçanta i përkasin atij fenomeni të formës fizike dhe teknike, që quhet Kristiano Ronaldo. Ai është një lojtar klasi, me një inteligjencë që i lejon të paraprijë çdo lëvizje, çdo kohë, për të qenë në vendin e duhur, në çastin e duhur.

Mançester Siti i Guardiolës u argëtua ndaj Shalkes së gjorë duke e ‘përmbytur’ 7-0. Anglezët nderuan ndeshjen duke luajtur me të gjitha forcat deri në fund, por ajo skuadër nuk është brilante si në kohët e saj më të arta.

Mbase për shkak të ekuilibrit në kampionatin anglez apo të intensitetit, por mbetet fakt që i vuajnë ndeshjet e rënda. Në çdo rrethanë, lojtarët e Pep mundohen të ndjekin me përpikmëri partiturën e trajnerit të tyre, çka është gjithnjë diçka e bukur për t’u parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!