Futbolli fillon të flasë sërish…

Nga Erga Kruja Kenga

Futbolli fillon të flasë sërish. Pas një jave të errët, si pasojë e bojkotit të Shoqatës së Arbitrave, sot dhe nesër ai rinis me ndeshjet e Kupës së 67-të të Shqipërisë. Mbase duhe ai gjest në Kamëz, që palët të ulen dhe të zgjidhin atë, që mund dhe duhet ta zgjidhin, sigurinë në stadiume.

Një takim me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj dhe duket se gjithçka është “OK”. Ndeshjet do të luhen, por shija e hidhur e asaj që ka ndodhur 10 ditë më parë në Kamëz mbetet.

Presidentët flasin dhe në fund vetëm kërkojnë. Akuzojnë ata që dikur i mbështesnin dhe akoma më keq, akuzojnë ato që vetë i kanë bërë. Një temë e gjatë dhe me shumë probleme brenda, por që në fund, për të mirën e futbollit, ka patur një “happy end”…

Sot dhe nesër do të luhet futboll dhe luhet për një vend në Europë.

Të kuqtë e Partizanit, si zotër shtëpie, sot në orën 14:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, pa praninë e tifozëve të tyre, do të presin gjirokastritët e Luftëtarit. Ndërsa “djemtë e detit” të Teutës, në orën 17:00, do të presin në stadiumin e tyre “Niko Dovana” verilindorët e Kukësit.

Nesër, bardheblutë e kryeqytetit, në orën 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” të boshatisur, do të përballen me bardhezinjtë e Laçit.

Në këto të para të çerekfinaleve të Kupës, Skënderbeu është i privilegjuar i fatit. Pas përjashtimit të Kamzës, korçarët automatikisht janë kualifikuar për në fazën tjetër të gjysmëfinaleve.

Skënderbeu është në pritjeve të ndeshjeve të kthimit, që sipas planifikimit do të zhvillohen më 27 mars, për të mësuar emrat e tri rivalëve të tjerë në garën për fitimin e Kupës së 67-të të Shqipërisë, trofeu i dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!