Salah dhe Firmino, “OK” për Madridin…
Trajneri Jurgen Klop shpreson që Mohamed Salah, Andi Robertson dhe Xhordan Henderson të jenë të gatshëm për ndeshjen e fundit të Premier League.
Të dielën, Liverpuli do të përballet me Volves, ndërkohë që shpreson për titullin kampion të Anglisë, të munguar prej 29 vitesh. “Reds”-at kanë një pikë më pak se Mançester Siti, që do të luajë në transfertë ndaj Brajton.
Duke folur për futbollistët e dëmtuar, trajneri Klop konfirmoi, se Roberto Firmino nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së dielës, por ai shpreson se braziliani do të jetë gati për finalen e madhe të Champions League kundër Totenhemit, më 1 qershor në Vanda Metropolitano të Madridit.
Ndërsa duke folur për gjendjen shëndetësore të sulmuesit egjiptian Salah, i dëmtuar në kokë, trajneri gjerman tha:“Të jem i sinqertë, Mo dukej se ishte bërë mirë në festimet pas ndeshjes (kundër Barcelonës). Pardje dhe dje është stërvitur mirë, ndërkohë që edhe sot do të stërvitemi”,– deklaroi duke qeshur trajneri Klop.