“Final Four” për vajza/ Përfundojnë takimet e para, Vllaznia një hap larg finales
Janë luajtur sot ndeshjet e para gjysmëfinale të “Final 4” në kampionatin “Abissnet Superiore” për vajza. Vllaznia triumfoi në “Arenën e Demave” ndaj Partizanit me rezultatin e thellë 3-0. Vajzat kuqeblu dominuan takimin dhe zhbllokuan rezultatin që në minutën e 10-të, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe dy gola të tjerë për të vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Pas kësaj fitoreje, Vllaznia hedh një hap të sigurt drejt finales së sezonit 2023/2024.
Në ndeshjen tjetër Tirana – Apolonia, që u zhvillua në kompleksin “Skënder Halili” sfida përfundoi në barazim 1-1. Vajzat bardheblu gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 12-të të takimit, ndërsa Apolonia barazoi rezultatin në fillimin e fraksionit të dytë. Deri në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe sfida u mbyll në barazim.
Më datë 7 maj do të luhen edhe takimet e dyta gjysmëfinale ku do të vendoset gjithçka përsa i përket kualifikimit.
Ndërsa finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni do të luhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”.