Erzeni “trazon” Kukësin, Egnatia nuk ia di Teutës
Abissnet Superiore ka mbërritur në javën e saj të 25-të që ditën e sotme sjell 3 përballje, 2 prej tyre të mbyllura tashmë. Nuk ka fitues në Rrogozhinë me Egnatian dhe Teutën që ndajnë pikët, teksa në një situatë jo të zakontë Erzeni merr 3 pikët në Kukës.
Festë e përkohshme në Kukës teksa verilindorët marrin avantazhin me Salamin gjatë pjesës së parë, por e dyta do të ndryshojë gjithë panoramën. Si fillim një penallti e akorduar për Erzenin dhe e kthyer në gol nga Kahrimanoviç, e vetëm pak minuta më vonë vjen goli i përmbysjes nga Zeka.
Ky është dhe çasti ku gjithçka del jashtë kontrollit me festën e shijakasve që prishet nga rrëmuja e krijuar. Tifozët vendas pushtojnë fushën e lojës duke bërë që sfida të ndërpritet për minuta të konsiderueshme deri në boshatisje të tribunave.
Sakaq, u mbyll pa gola në Rrogozhinë takimi mes Egnatias kryesuese dhe Teutës së fundtabelës. Dirigjon takimin Egnatia në shtëpinë e saj, ku i anulohen dhe dy gola për pozicion jashtë loje, nga një në secilën pjesë, me Teutën që për mënyrën si shkoi takimi i gëzohet kësaj pike.
Sa i përket renditjes, Egnatia vijon të kryesojë me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë, Erzeni del nga zona e kuqe por mbetet në zonën “play-out”, teksa durrsakët ruajnë distancën e vogël me shijakasit. Për Kukësin duket se vetëm ndonjë mrekulli mund ta ndihmojë të ringrihet.
Abissnet Superiore, Java 25:
Kukësi – Erzeni 1-2 (Salami 31’/ Kahrimanoviç 60′ pen, Zeka 64′)
Egnatia – Teuta 0-0