Derbi fitohet nga … Partizani

Gabimi i portierit Abdullahu ndëshkon Tiranën, Teuta del në “sipërfaqe”

Abissnet Superiore, Java 24:
Partizani – Tirana 2-1 (Skuka 31′ pen, Cara 42’/ Latifi 7′)
Teuta – Kukësi 1-0 (Peposhi 51′ pen)

Derbi i shumëpritur trokiti për të tretën herë këtë sezon në javën e 24-të të tij dhe ashtu si në fazën e parë u fitua nga Partizani në shifrat 2-1. Ndryshimi i vetëm ishte Shehi që në javën e gjashtë të kampionatit ishte pjesë e pankinës bardheblu.

Shumë emocione, entuziasëm dhe rivalitet ndërmjet dy ekipeve që luftojnë për të njëjtin objektiv dhe kanë një diferencë të vogël në klasifikim. Nisja më perfekte ishte ajo e Tiranës që vetëm pas 7 minutash lojë gjetën golin me një aksion të shpejtë finalizuar saktë nga Latifi.

Sakaq, presioni i të kuqve fillon e ndjehet me Abdullahun që ndal Skukën në mënyrë të gabuar duke dhuruar 11-metërshin të cilin ky i fundit e shfrytëzon për të rikthyer baraspeshën.

Ende pa u mbyllur pjesa e parë sërish festa i takon demave që me Carën dhe lëvizjen personale të tij përmbysin dhe vulosin gjithçka në “Air Albania” duke zbehur entuziasmin e Tiranës.

Pjesa e dytë mbetet nën kontrollin e Partizanit dhe pse miqtë rrezikuan mjaft me një shtyllë të pafat të Regi Lushkjes që mund të rihapte llogaritë në këtë derbi me shumë vlerë në këtë pikë të garës.

Ky 3-pikësh i jep më shumë siguri të kuqve që shkojnë në kuotën e 40 pikëve në vendin e dytë, duke i mbajtur bardheblutë 6 pikë larg me këta të fundit që njohin shumë ulje-ngritje ndeshjet e fundit.

Më parë u luajt edhe “derbi” i mbijetesës mes Teutës dhe Kukësit ku fitues dolën vendasit, ndërsa nesër do të ulë siparin kjo xhiro e 24-të me 3 përballjet e fundit në program./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!