Santos, zyrtarisht i shkarkuar
Fernando Santos është shkarkuar zyrtarisht nga detyra e trajnerit të Polonisë. Vendimi u bë i ditur tri ditë pas humbjes së kombëtares polake ndaj Shqipërisë në fazën kualifikuese për Euro 2024 me shifrat 2-0.
Santos drejtoi Poloninë më pak se nëntë muaj. Portugezi mbërriti në Poloni si trajner me shumë përvojë. Por 68-vjeçari nuk arriti të bëjë diferencën në ato gjashtë ndeshje. Fitoi tre prej tyre: kundër Shqipërisë (1-0) dhe Ishujt Faroe (2-0) në kualifikueset e Euro 2024 dhe kundër Gjermanisë (1-0) në një miqësore. Santos pësoi me të tijtë tri humbje; 1-3 ndaj Republikës Çeke, 3-2 ndaj Moladivsë dhe 2-0 ndaj Shqipërisë).
Në fakt vetë trajneri luzitan pati përsëritur se nuk do të japte dorëheqjen, por do të respektonte vendimin e drejtuesëve të Federatës polake.
Lajmet për shkarkimin e Santos e dhanë drejtuesit. “Dua të falënderoj trajnerin Santos për punën e tij me kombëtaren dhe i uroj suksese në sfidat e ardhshme sportive”, tha presidenti Kulesza në faqen zyrtare të Federatës.