Vllaznia zgjohet në fund, nuk ka fitues në Rrogozhinë

Abissnet Superiore, Java 2:
Erzeni – Vllaznia 2-2 (Mihana 23′, Zeka 59’/ Balaj 7′, 90+1′ pen)

Abissnet Superiore ka hapur sot javën e dytë të saj me një tjetër surprizë e me një tjetër ndeshje të çmendur të mbushur me gola. Në stadiumin e Egnatias (Rrogozinë), Erzeni dhe Vllaznia u ndanë në barazim me shijakasit që ishin shumë pranë fitores por një penallti në shtesë i mohoi atyre triumfin e parë sezonal.

Ishin shkodranët ata që e nisën më mirë takimin e sotëm me një gol të anuluar që në minutat e para e më pas me një tjetër plotësisht të rregullt që mban fitmën e Balajt. Sulmuesi kaloi në avantazh kuqeblutë në të shtatën minutë nga një goditje dënimi.

Po nga një goditje e tillë do të vijë goli i radhës me autor protagonistin e këtyre dy javëve të para, Redon Mihanën. Kurbinasi riktheu baraspeshën në minutën e 23′-të duke ndezur sfidën për minutat e mbetura.

Skuadrat i drejtohen dhomave të zhveshjesh në paqe por me rikthimin e tyre në fushën e lojës, shifrat do të përmbysen. Edhe një herë shijakasit do të festojnë falë një supergoli nga distanca të Agim Zekës që befason Vllazninë dhe Qarrin.

Erzeni ia del të ruajë avantazhin deri në minutat shtesë përballë një Vllaznie pa busull dhe ndryshe nga ajo që u prezantua në minutat e para, por shkodranët do t’i shpëtojë një 11-metërsh i akorduar me VAR. Balaj e shndërron atë në gol, i treti sezonal, duke vulosur barazimin 2-2.

Do të ketë sërish rrjeta që dridhen me miqtë që marrin zemër në limite të sfidës dhe shënojnë me Gomez, por pas çekimit të gjatë nga sistemi VAR pozicioni i parregullt i mohon festën shkodranëve.

Pika e dytë radhazi për Erzenin pas asaj të rrëmbyer në Laç, ndërsa Vllaznia ndalet pas fitores entuziasmuese ndaj Kukësit në javën e parë.

/Sara Gjidiaj- Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!