Laçi nuk menaxhon, super Mihana i jep një pikë Erzenit
Abissnet Superiore, Java 1:
Laçi – Erzeni 3-3 (Sobovale 17′, Barjamaj 30′, Ujka 61’/ Mihana 20′, 81′, Kahrimanoviç 88′ pen)
Java e parë e Abissnet Superiore vijoi me një sfidë mjaft interesante siç ishte ajo mes Laçit dhe Erzenit që përveç 6 golave prodhoi spektakël, emocione dhe të papritura.
Sfida nisi mjaft mirë për kurbinasit të cilët iu drejtuan sulmit që në minutat e para por vetëm në të 17′-tën arritën te goli. Sobovale shënoi në debutim me fanellën e Laçit duke ngritur peshë të pranishmit.
Pak minuta më vonë, një kurbinas do të prishë entuziasmin pasi do të rikthejë baraspeshën me një gol ‘kartolinë’ për nga ekzekutimi. Redon Mihana shënon në minutën e 20′-të dhe rikthen në lojë të tijtë.
Nuk kanë mbaruar festimet për këtë pjesë të parë pasi bardhezinjtë do të gëzojnë sërish falë Bajramajt dhe po ata do ta nisin me gol pjesën e dytë. Kapiteni Serxho Ujka shënon të tretin në ditën e lindjes së tij të 25-të.
Kur u duk se vendasit ishin shumë pranë 3-pikëshit të parë sezonal, shijakasit surprizojnë 2 herë. Skenën e merr sërish Mihana që me ndihmën e kundërshtarëve e lëshon dhe një herë topin në rrjetë e më pas Kahrimanoviç nuk gabon nga 11 metra distancë për të fiksuar gjithçka në 3-3.
Mbyllet kështu kjo sfidë e cila u duk se nuk do të kishte fund me Laçin dhe Erzenin që ndajnë nga 1 pikë në start të kampionatit./S. Gjidiaj/