Egnatia tradhëtohet nga penalltitë, kalon Ararat- Armenia

Egnatia – Ararat Armenia 4-4 (5-5) 2-4 (pen) Fernando 4′ Kasa 36′, Duamena 108′, Duamena 124’/ Eza 17′, Kastanjera 58′, Jene 110′, Bueno 114′

Sa shumë emocione në “Elbasan Arena” në ndeshjen e çmendur dhe spektakolare mes Egnatias dhe Ararat. 120 minuta e diçka më shumë për një barazim dramatik 4-4 dhe për fatet e skuadrave që do të vendoseshin nga penalltitë. Në fund, Egnatia kthehet në shtëpi, ndërsa Ararat vijon rrugëtimin.

Sfida nisi ashtu siç rrogozhinasit e kishin ëndërruar, me gol që në minutën e katërt. Një goditje nga këndi dhe gjuajtja me kokë e Fernandos ndezën atmosferën në radhët e Egnatias që morën avantazhin shumë shpejt.

Ndërkohë, baraspesha do të rikthehet në minutën e 17′-të pas një kundërsulmi të shpejtë të armenëve dhe finalizimit të Eze që dërgon topin në rrjetën e mbrojtur nga Sherri.

Nuk kanë mbaruar episodet e fraksionit të parë pasi dhe një herë vendasit do të marrin frenat e lojës në dorë me Redi Kasën që rikthen të tijtë në avantazh.

Vetëm në minutën e 58′-të miqtë do të mund të rihapin sfidën duke vendosur baraspeshën përfundimtare për kohën e rregullt. Në minutat e mbetura Egnatia tenton të shfaqet rrezikshëm por nuk arrin të konkretizojë për të shmangur shtesën.

Nëse në 15-minutëshin e parë nuk pati histori, ndryshe ndodhi në të dytin kur Duamena realizon për t’i dhënë edhe një mundësi tjetër të artë Egnatias, por magjia shuhet shpejt sepse për të tretën herë do të vijë barazimi i shpejtë nga armenët.

Nuk ka më një Egnatia që kalon në avantazh pasi miqtë do të shënojnë menjëherë pas golit të barazimit duke e lënë të tillë rezultatin deri në të 124′-tën.

Heroi i Egnatias është vetëm një në këtë përballje dhe ai mban emrin Duamena. Atëherë kur gjithçka u duk se kishte marrë fund, ai ishte në vendin dhe momentin e duhur për të nënshkruar barazimin e katërt të këtij dueli dhe atë përfundimtar.

Seritë e penalltive nuk flasin për vendasit me Zejnullain dhe Kacbufin që gabojnë, teksa Alen Sherri nuk mundi të ndihmojë të tijtë me pritjen e gjuajtjeve të armenëve.

Gjithsesi, skuadra e Tetovës e mbyll me kokën lart këtë paraqitje të parë në garat europiane ku dhe ishte shumë pranë shkrimit të historisë dhr kualifikimit në turin e dytë./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!