Ndreu: Jemi një nivel, provojmë tri pikët

Kastrioti mundi Egnatian javën e kaluar me një gol të Spartak Ajazit, ndërsa nesër në Korçë, një tjetër skuadër e fundit të tabelës do jetë përballë krutanëve të Ndreut.

Tekniku 55 vjeçar mendon se të dyja skuadrat janë në një nivel dhe se rezultati mund të jetë alternativ. ‘Jemi skuadra që do luftojmë për mbijetesë deri në fund‘ thotë trajneri.

Ndreu:

“Ishte një fitore në kohën e duhur. Megjithatë, unë e kam thënë edhe më parë, ndeshjet më të rëndësishme për ne janë me kundërshtarët direkt, siç ishte Egnatia javën që kaloi dhe ndeshja tani me Skënderbeun. Këto ndeshje marrin një rëndësi të veçantë pasi unë mendoj se jemi një skuadër që do të rivalizojë deri në fund për mbijetesën.

Kështu që edhe ndeshja me Skënderbeun merr një rëndësi të veçantë dhe merr vlerësimin maksimal. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi punuar në aspektin psikologjik. Jemi një skuadër që zakonisht luajmë më mirë jashtë se sa brenda. Jam i bindur që në Korçë do të japim më të mirën dhe pa diskutim shkojmë për tre pikët.

E kam thënë edhe më parë që të gjitha skuadrat këtë vit janë më nivel. Po të shikosh ndeshjet me kujdes, vë re se ndeshjet janë fituar nga skuadrat që janë më lart në renditje me shumë vështirësi. Kështu që edhe Skënderbeu është një skuadër shumë e mirë, ata kanë bërë ndeshje të mira brenda dhe jashtë.

Dua ta bëj një paralele edhe me në, pavarësisht luhatjeve që kemi pasur, në përgjithësi kemi bërë ndeshje të mira. Kuptohet që shkalla e vështirësisë sivjet është më e lartë. 6-7 skuadrat e para kanë investuar shumë dhe kanë potencial teknik më të lartë se ne. Është e vështirë që t’i mundesh.

Shkojmë në Korçë dhe luajmë ndaj një ekip që është aty-aty me ne, që tregohet edhe nga pikët. Kam besim absolut që lojtarët japin gjithçka për të marrë maksimumin”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!