Laçi e mbyll në festë, Melo nderon bardhezinjtë
Finale “play-out”:
Laçi – Flamurtari 3-1 (Melo 45’+4′, 109′, Mjaki 116’/ Dajko 63 AG)
Laçi mbetet në Superiore. Pas 120 minutave lojë, kurbinasit rrëmbejnë fitoren në finalen e “play-out” përballë Flamurtarit duke siguruar kështu qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar edhe për sezonin e ardhshëm.
Një pjesë e parë e dominuar nga bardhezinjtë që golin e festuan vetëm në të katërtën e shtesës. Melo finalizoi saktë skemën dhe zgjoi festën te të pranishmit, gjë që do të ndryshonte në pjesën e dytë ku vlonjatët e nisën ndryshe.
Shumë presion në zonën e vendasve dhe një autogol i Dajkos riktheu baraspeshën që do të mbetej e tillë deri në përfundimin e 90 minutave të kohës së rregullt. Skuadrat do duhet të luftojnë dhe 30 minuta më shumë për të zgjidhur dilemën e “play-out”.
Shtesa e parë nuk prodhon asgjë, teksa e dyta nisi me një penallti për Laçin që u ekzekutua saktë nga Melo, teksa për të vulosur gjithçka mendoi Mjaki i sapohedhur në fushën e lojës. Sakaq, nuk munguan tensionet, pretendimet dhe episodet e dhunës që detyruan sfidën të ndërpritej disa herë deri në përfundim.
Kështu, Laçi bën të vetën biletën e fundit Abissnet Superiore, ndërsa Flamurtari do të regjistrojë një tjetër sezon në Kategorinë e Parë./Sara Gjidiaj/