Lionel Mesi në golin e parë të ‘Tufës’

Në ditën e largimit të Lionel Mesit nga Barcelona pas 21 viteve, Sporti im.al në rubrikën ‘Histori Sportive‘, vjen me materialin e ish-kryeredaktorit të Sporti Shqiptar, sot ‘Mjeshtër i Madh’, gazetarit të njohur sportiv, Bashkim Tufa.

Botimi i rrallë qëndron si një relikë e kohës, e cila përkon me atë që shtrohet në material dhe asaj që kërkohet prej futbollit shqiptar. Gjithsesi, ikja e Mesit nga Barcelona, kthen gjithçka në “kohë”. Aty ku Tufa ka ditur të pikasë me Mesin talent, për të dhënë më tej mesazhe të ringritjes së futbollit shqiptar. (Parashtrimi: Isuf Myrtaj)

Një ngjarje-një problem

Varfëri talentesh, apo varfëri profesionale?

Nga Bashkim Tufa (Mjeshtër i Madh)

Krahas diskutimeve për strukturën organizative të sezonit të ri futbollistik, të shtohen edhe alternativa për t’u krijuar më tepër komoditet talenteve të futbollit shqiptar

Të dielën në mbrëmje, Barcelona fitoi 2-0 ndaj Albasetes, duke e ruajtur largësinë prej 6 pikësh diferencë ndaj Realit të Madridit në Primera Divizion. Golin e dytë, atë që vulosi fitoren e katalanasve, e shënoi Mesi në minutën e 90-të të ndeshjes. Ishte një gol manual për nga mënyra e ekzekutimit. Ronaldinjo jep një pas të harkuar pak nga e majta pas shpinës së mbrojtësve, ashtu siç di t’i bëjë vetëm braziliani virtuoz.

Sulmuesi Mesi, i futur në lojë vetëm pak kohë më parë, ndërkohë që gjyqtari i kishte anuluar një gol për pozicion të parregullt, vepron po me të njëjtin klas. Ai e la topin të përplaset në tokë, shikon daljen e portierit dhe me pjesën e brendshme të këmbës e godet topin me saktësi mbi portierin, duke shënuar një gol spektakolar edhe me vlerë për Barcelonën.

Entuziazmi i autorit të golit ishte sa i papërmbajtshëm aq dhe i përligjur. Gëzimin për këtë gol, që gjithsesi ishte i dyti në atë ndeshje, nuk e fshihte edhe trajneri holandez Rajkard. Madje edhe presidenti Laporta në tribunë ndihej i lumturuar dhe nuk reshtte së duartrokituri. Kuptohej shpejt edhe nga ekrani i televizorit, se shkaktari i këtij ngazëllimi nuk ishte as më pak dhe as më shumë, por sulmuesi Lionel Mesi, që shënonte golin e tij të parë në Primera Divizion. Protagonisti në fjalë ishte vetëm një i ri, një talent i veçantë, sipas shtypit spanjoll, i cili është vetëm 17 vjeç, 10 muaj e 7 ditë dhe që luan në radhët e Barcelonës së famshme.

U përpoqëm ta përshkruajmë këtë episod, jo vetëm për t’iu afruar imazheve filmike të atij goli model, që gjithsesi me fjalë zor se ia arrin, por për të hequr edhe një paralele midis një fakti që na ngacmoi. Ku Shqipëria, ku Barcelona dhe ku ekipet tona, mund të thotë ndokush. Ka të drejtë. Paralelizmi ynë, ndoshta nuk qëndron shumë fjala e përdorur, është për problemin që duam të prekim.

Në Shqipëri, fjala vjen, në ekipet e superligës apo edhe të kategorisë së parë, a kemi ne ndonjë futbollist të kësaj moshe që luan? Vështirë se mund të gjesh. Le të mos justifikohemi me Gerald Hasmetajn dhe Elis Bakajn të Partizanit. Ata janë aktivizuar për nevoja emergjente dhe jo brenda natyralizmit të shembullit të mësipërm. Le të mos përmendim emra të tjerë si argument për të mos thënë se nuk fshihemi pas gishtit. Qoftë edhe nga ekipet kombëtare të moshave, ku shumë prej lojtarëve kanë datëlindje të dyshimta, pse jo edhe të falsifikuara.

Me sa duket, me dhimbje duhet pranuar fakti se në futbollin shqiptar kanë perënduar ato kohëra kur luanin Sulejman Demollari dhe Bledar Kola, emra të cilët janë arkivuar si “të fundit e mohikanëve” për bashkëmoshatarët e tyre, pa përmendur shembuj të tjerë të së kaluarës. Ky është problemi, që njëherësh është edhe një akuzë që kërkon përgjigje nga specialistët tanë të futbollit.

Dhe me sa duket, është pikërisht koha, që krahas diskutimeve për strukturën organizative të sezonit të ri futbollistik, të shtohen edhe alternativa për t’u krijuar më tepër komoditet talenteve të futbollit shqiptar. Eshtë më me vlerë të luajnë këta të fundit, se sa ekipet tona t’i mbushim me pseudofutbollistë, që ndoshta në vendet e tyre kanë shitur vetëm banane, por vetëm ngaqë vijnë nga vendi i sambës, apo kontinenti i zi, janë të preferuar dhe veshin pa asnjë meritë dhe vlera sportive fanellat e ekipeve tona. Kufizimi i numrit të tyre ndoshta mund të jetë një alternativë. Sidoqoftë, kështu nuk shkohet më.
Futbolli shqiptar ka varfëri talentesh, apo varfëri profesionale?

(Botuar në Sporti Shqiptar, më 05.05.2005, Nr.122 (5576)

2 thoughts on “Lionel Mesi në golin e parë të ‘Tufës’

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!