Pollozhani sërish në fushë, te Skënderbeu…

Pasi i ka dhënë fund fazës përgatitore në “Tropikal Resort”, skuadra e Skënderbeut sot pasdite, nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, ka zbritur në fushë për t’i vazhduar stërvitjet në Korçë, ku të shtunën e 24 gushtit do të presë Flamurtarin, në ndeshjen premierë për kampionatin e 81-të të Superiores.

Ajo që ka bërë përshtypje, ka qenë fakti se në radhët e skuadrës korçare është parë duke vrapuar edhe ish-mbrojtësi Artim Pollozhani, i cili sezonin e shkuar e mbylli nën urdhërat e trajnerit Daja te skuadra vlonjate e Flamurtarit. “Panorama Sport”, raporton se ai tashmë duhet konsideruar si lojtari më i ri i Skënderbeut.

Nuk dihet nëse Daja nuk ndahet nga Pollozhani, apo ky i fundit nuk do t’i largohet futbollit të luajtur. 37-vjeçari, që në vitet 2000-2003 ka luajtur edhe me Apoloninë dhe Dinamon, para pak ditësh pranoi detyrën e drejtorit teknik te Flamurtari, të cilën e refuzoi së bashku me trajnerin Haxhiu.

Aktualisht, nuk dihet ende kush e shtyu Pollozhanin, me një karrierë të pasur sportive prej dy dekadash futboll qe t’i kthehet sërish fushës, ashtu siç pritet që klubi korçar i Skënderbeut ta zyrtarizojë Artimin, si lojtarin më të ri të tij…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!