Shameti kalon “kufirin”, ikën te Gjilani

Ish-kapiteni i kuksianëve, Ylli Shameti, ka kaluar “kufirin”. Pasi nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për të rinovuar me skuadrën verilindore, mbrojtësi 35-vjeçar gjirokastrit, ka nënshkruar për të luajtur në radhët e skuadrës e Gjilanit, në IPKO Superligën kosovare.

Pasi ka vlerësuar ofertat në drejtim të tij, mbrojtësi i qendrës Shameti, për të vijuar karrierën e tij ka përzgjedhur skuadrën kosovare, që drejtohet nga vlonajti Gentian Mezini, duke shtuar numrin e futbollistëve të Superligës shqiptare në futbollin kosovar.

“Pak orë para mbylljes së afatit kalimtar të transferimeve, skuadra e Gjilanit ka arritur të sigurojë shërbimet e mbrojtësit me përvojë Ylli Shameti. Në zyrat e Sport Club Gjilani, sot futbollisti nga Gjirokastra ka hedhur firmën e bashkëpunimit një vjeçar, e cila do ta veshë mbrojtësin me ngjyrat kuqebardhë, për edicionin 2019/20 garues në Ipko Superligë.

Ylli Shameti, në skuadrën e Gjilanit vjen nga kampionati shqiptar, më saktësisht nga skuadra verilindore e Kukësit, ku kishte qëndruar për 6 sezone, me të cilët kishte arritur të shpallej një herë kampion,duke fituar dy Kupa dhe një Superkupë të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij futbollisti i lartpërmendur përpos Kukësit, kishte mbrojtur ngjyrat edhe të shumë skuadrave të tjera në Shqipëri, sikurse ajo e vendlindjes së tij Luftëtari, Besa e Kavajës e skuadrave të tjera nga “Superiorja”.

Gjirokastriti, fitues i katër trofeve me Kukësin, përvojë ka edhe në arenën ndërkombëtare, me ç’rast ai kishte bërë më shumë se 15 paraqitje në garat e UEFA-s, me skuadrën kuksiane”, shkruhet në njoftimin e skuadrës kosovare të Gjilanit në faqen e saj në “Facebook”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!