“Korçari” Daja: “Truri dëgjoi zemrën”…

Presidenti Ardian Takaj, gjatë prezantimit sot para medias të Ilir Dajës, si trajner i Skënderbeut të ri…

“De facto” trajneri kryeqytetas Ilir Daja ka nisur që dje nga puna për Skënderbeun e ri. Eshtë takuar dhe drekuar me presidentin Takaj. Më pas ka zbritur dhe është takuar me futbollistët në mjedisin e “Tropikal Resort”.

Sot në mesditë, presidenti Ardian Takaj, “de jure” e prezantuar para medias Ilir Dajën, si trajnerin e ri që do të drejtojë skuadrën e Skënderbeut në sezonin e ardhshëm.

Për Dajën, ky është “misioni 2” në Korçë, prej nga u largua si kampion i Shqipërisë, por edhe si pjesëmarrës në grupet e Europa League, para një viti…

Por edhe pse situata nuk është e njejtë, trajneri kryeqytetas është koshient për vështirësitë, ndaj dhe u shpreh, se do të bëjë të gjitha përpjekjet për ringritjen e Skënderbeut, i cili aktualisht nuk është lokomotivë e futbollit shqiptar.

Rikthimi? “Kam kaluar këtu kulmin e karrierës, kemi bërë gjithçka brenda një edicioni, duke pasur parasysh titullin, Kupën dhe Europa League. Këtë radhë truri ka dëgjuar zemrën. Vendosa që me shumë respekt dhe vlerësim, të marr përsipër të drejtoj Skënderbeun. Motivimi është i vështirë në këto kushte. Eksperienca më ka bërë që nuk më mungon pjesa e motivimit. Situata është e veçantë dhe të gjithë aktorët duhet të jenë pjesë e motivimit. Merkato duhet të nisë me lojtarin e 12-të, tifozët, që të jenë përkrah nesh. Kemi marrë garancinë edhe nga Bashkia se skuadrës nuk do t’i mungojë asgjë. Europa është vitrinë, por ka edhe mënyra të tjera për të promovuar lojtarët. Kemi shembullin e Gurit dhe Abazaj”.

Objektivi? “Nuk mund të dalim me objektiva konkretë. Edhe pse kemi një grup me eksperiencë, duhet kompletuar skuadra, por afati kohor është i limituar. Kemi pak mundësi zgjedhjeje. Po punojmë të afrojmë lojtarë cilësorë. Nuk mund të pretendojmë të jemi lokomotiva e garës, por aty afër. Politikat në futbollin shqiptar janë afatshkurtra. Nuk mund të bësh plane afatgjata. Ka qenë ndjesia e mrekullueshme që kam përjetuar në Korçë, ajo që më thirri nga brenda. Doja edhe unë të kontribuoja në këtë moment. Do të jemi konkurrues dhe jo vetëm sa për të plotësuar Superioren”.

Krahasimi me Flamurtarin? “Nuk janë situata analoge. Është tjetër problem ky i Skënderbeut. Flamurtari vinte nga poshtë dhe kishte objektiv për t’u ngjitur lart. Këtu kemi të bëjmë me ekip elitar, që ka vendosur standarde edhe në prezantimin europian. Është edhe më e vështirë, por kur arrihen rezultate përmes vështirësive, kënaqësia është më e madhe”.

Organika? “Është afruar Turtulli, portierin nuk e diskutojmë, sepse të dy i kemi të mirë, Koliçin dhe Dajsinanin. Mbrojtja është reparti më i dobësuar sepse janë larguar Vangjeli, Radas. Në sulm dhe mesfushë ekipi ka cilësi. Është për t’u parë që të shtojmë rivalitetin. Në raste problemesh, duhet të kemi mundësin për të zëvendësuar lojtarët”, përfundoi Daja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!