Superiorja në kaos, klubet sytë nga shteti…
Edhe pse Liga profesioniste e futbollit shqiptar ende nuk është formalizuar, sot pesë prej klubeve elitare të përfaqësuara nga Edmond Hasanbelliu (Teuta), Refik Halili (Tirana), Geri Burba (Partizani), Pashk Laska (Laçi) dhe Besnik Kapllanaj (Bylisi) ishin në një takim me zv/presidentin e FSHF-së, Edvin Libohova, i cili do të jetë edhe kreu i Ligës.
Mbledhja ka zgjatur dhe në të janë diskutuar mjaft probleme që shqetësojnë futbollin shqiptar në këtë pragsezoni, që sikurse ka njoftuar më herët edhe “Sporti Im”, me shumë gjasa, starti i programuar për më 24 gusht i sezonit të 81-të të Superiores, do të shtyhet.
Zv.presidenti Libohova, pas takimit me drejtuesit e pesë klubeve, ka deklaruar për mediat: “Presim paketën ligjore nga qeveria dhe nëse vendimet aty nuk përputhen me kërkesat tona, atëherë do të shohim si do veprojmë”.
Edhe pse shtyrja e kampionatit sa vjen dhe bëhet më emergjente për shkak të problemeve financiare të klubeve që kanë borxhe të shumta në Tatim-Taksa, Libohova nuk nxitohet të deklarohet: “Duhet të presim draftin e qeverisë, që më pas të japim vendimin tonë”, u shpreh ai.