Ramsej, një “ish-topçi” për “Zonjën”…
Aron Ramsej është blerja më pak e reklamuar e Juventusit, por qe mund të jetë një nga më të rëndësishmet gjatë sezonit. Mesfushori uellsian erdhi me parametra zero nga Arsenali, kalim që u bë i ditur që në dimër, para dëmtimit të tij, që e bëri të humbasë ndeshjet e fundit të sezonit me “topçinjtë”, duke përfshirë edhe finalen e Europa League.
Pas ditëve të para juventine, 28-vjeçari, sot ka dalë në një konferencë për shtyp, ku edhe është zyrtarizuar. “Faleminderit të gjithëve që jeni këtu sot. Dua të them se jam i lumtur që kam ardhur këtu te Juvja, një nga ekipet më të mëdha në botë.
Më falni për italishten time, nuk është shumë e mire, por po studioj. Faleminderit,”- këto ishin fjalët e para të uellsianit, i cili ka marrë edhe numrin e fanelës së Markizios, për të cilin ai tha se do të ishte krenar ta imitonte.
Mesfushori Aron Ramsej, ishte një emblemë te Arsenali. Ai luajti 262 ndeshje me skuadrën e “topçinjve”, duke shënuar edhe 40 gola, gjatë 11 sezoneve që mbajti veshur fanelën e skuadrës londineze. Kjo është “aventura” e tij e pare jashtë ishullit.