“Shehi s’mund të iki me një intervistë”!

Pak ditë më parë, ish-portieri dhe trajneri Orges Shehi, gjatë një emisioni në Supersport, shpalli “divorcin” me Skënderbeun, skuadrës së cilës për 9 vite i dha shumë, por edhe mori shumë, siç e ka pranuar vetë durrsaku 41-vjeçar Shehi.

Por kjo “lamtumirë” në distancë nuk është pritur aspak mirë në Korçë. Klubi Skënderbeu nëpërmjet faqes zyrtare në “Facebook”, ka njoftuar se Shehi nuk mund të largohet me një intervistë nga Korça.

Pasi me ish-portierin që sezonin e shkuar ishte edhe trajneri i Skënderbeut, nuk e lidh vetëm kontrata. Midis Shehit dhe Skënderbeut në mes është ndjenja, është respekti…

“Një ikonë, legjendë…
2 pjesëmarrje në grupet e Europa League, një play-off në Champions League dhe 1 play-off në Europa League.

7 tituj kampion, 3 superkupa dhe një Kupë Shqipërie. 9 vite bardhekuq, lider brenda dhe jashtë fushe.

Fjalët janë të tepërta, nuk ka arsye për të reaguar, Orges Shehin nuk e lidh kontrata me Skënderbeun, por 9 vite plot suksese, emocione dhe dashuri.

Orges Shehi nuk mund të largohet me një intervistë nga Korça dhe padiskutim mbetet një aset dhe pjesë e pandarë e klubit…”, shkruhet në reagimin e klubit Skënderbeu.

Mesazhi shpreh shumë, por njëherësh fsheh edhe shumë enigma. Orges Shehit, mos vallë në Korçë do t’i përgatisin një lamtumirë, siç i ka hije një kampioni të tillë të madh? Apo mos vallë Orges Shehit do t’i besohet sërish drejtimi i Skënderbeut? Gjithçka mund të ndodhë, duhet pritur…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!