Luftëtari “emigron” ngadalë drejt Gjilanit
Portieri Shkëlzen Ruçi që mbylli sezonin në radhët e skuadrës së Luftëtarit, fanelën bluzi të gjirokastritëve e ka ndërruar me të kuqen e gjilanasve. 26-vjeçari elbasanas, që ka mbrojtur për tri vite portën e qytetit të gurtë, duke nisur nga sot do të jetë gardiani i portës së Gjilanit. Ai ka arritur akordin me drejtuesit e klubit dardan dhe ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me ta, duke i dhënë lamtumirën përfundimisht Luftëtarit dhe Superiores shqiptare.
“Gjilani sot ka arritur të finalizoj marrëveshjen me portierin nga Elbasani, Shkëlzen Ruçi. 26 vjeçari, Shkëlzen Ruçi, në skuadrën e Gjilanit vie nga kampionati i Shqipërisë më konkretisht nga Luftëtari i Gjirokastrës. Më parë portieri i ri i Gjilanit, kishte mbrojtur ngjyrat e Elbasanit dhe Bylisit.
Ruçi në skuadrën e Gjilanit vie pas 3 sezoneve të kaluar në KF Luftëtarin dhe ka firmosur kontratë për dy vitet e ardhëshme, ku do t’i mbroj ngjyrat e ekipit gjilanas. Krahas Ruçit, bordi drejtues i skuadrës po punon intezivisht që të ndërtoj një ekip garues, për edicionet e ardhëshme në Superligën e Kosovës në futboll”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit të Gjilanit.
Shkëlzen Ruçi në skuadrën e Gjilanit do të gjejë ish-trajnerin Gentian Mezani, si dhe mbrojtësin e majtë brazilian Xhekson. Në listen e ambicieve të skuadrës së kuqe dardane është edhe sulmuesi Ismael Dunga që gjithashtu ka luajtur me bluzinjtë. Duket sikur Luftëtari po “emigron” ngadalë drejt Gjilanit, ku kolonia gjirokastrite tashmë është formuar.