Tirana-Kastrioti, epiqendra e javës së 34-t

Në Vlorë, Flamurtari dhe Laçit për një vend në Europa League.

Nga Shpëtim Gjoshi

Vetëm para 6 ditëve, Partizani u tregua i pamëshirshëm ndaj Tiranës dhe jo vetëm i mbijetoi frikës së humbjes, por përfundimisht gëzoi titullin e 16-të kampion pas 26 vitesh. Tashmë pret zyrtarisht kurorën e Superiores.

Në tri javët e mbetura, nëse kërkon të thyejë rekordin e Skënderbeut në sezonin e shkuar me 72 pikë, duhet të grumbullojë edhe 5 pikë, por nuk mund të thyejë numrin e golave të shënuar, 68 për Skënderbeun. Të kuqtë kanë zhvilluar një sezon të pabesueshëm. Luajtën në rrugën e duhur, me forcë e besim dhe ajo që është më interesante, janë skemat e përdorura.

Kjo javë është vendimtare për Kastriotin, ku një fitore do të ishte historike, apo më shumë fantastike, duke siguruar mbijetesën, objektiv që në nisje. Ndërkohë humbja ndaj Partizanit, ia ka komplikuar klasifikimin Tiranës. Tani rrezikon. Paniku ka dhënë shenja javët e fundit dhe tani është real.

Bukuria e këtij sezoni është rivaliteti për Europa League. Kukësi dhe Teuta janë më lart, por nuk duhet nënvlerësuar Flamurtari dhe Laçi, që përballen dhe ku çdo fitore, do të thotë një hap sigurie.

Laçi është një “anije e lashtë” për historinë e këtyre viteve të fundit, por edhe Teuta e rilindur në këtë sezon, pas viteve që luftonte për mbijetesë në fundin e renditjes.

Një risi, por jo traditë, është udha e Skënderbeut në këtë sezon, nga vitet e gjata të dominimit të kampionateve. Këtë herë nuk patën një periudhë të mirë dhe kuptueshëm që kjo paguhet. Skuadra nuk pati grintën e duhur, mungoi entuziazmi. Skënderbeu ishte pa heronj, por edhe pa “vlera”, si një anije në det të hapur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!