180 minutat enigmatike të një kampionati…

Zona UEFA, me shumë pretendentë, por edhe me shumë skenarë për t’u zgjidhur. Tirana me fatin në duart e saj. Kastrioti pret

Ngsa Erga Kruja Kenga

Kanë mbetur edhe 180 minuta për t’u përcaktuar verdiktet e Superligës. Shumë ekuacione, ku vetëm njeri është zgjidhur. Partizani është skuadra kampione e Shqipërisë për këtë sezon. Tjetri me një të panjohur. Tirana ose Kastrioti do të bien një kategori më poshtë, edhe kjo është e sigurtë.

Europa është bërë një rebus, që edhe Ajnshtajni, vështirë se do t’i bënte llogaritë dhe do ta zgjidhte që sot. Kjo, sepse pesë skuadra, duke nisur që nga Kukësi, Teuta, Flamurtari, Laçi dhe Skënderbeu, në javën e fundit të Kampionatit të 80-të të Superiores mund të përfundojnë me nga 55 pikë.

Prandaj ekuacioni është shumë i vështirë për t’u zgjidhur që sot. Me pak fjalë, kemi një kampionat interesant, natyrisht jo i bukur, por intrigues deri në fundin e tij.

Megjithatë, java e 34-t ishte një javë që e ringriti Teutën në vendin e tretë. Një skuadër që pa shumë bujë në fillim, por që është në Europë për momentin. Partizani me “të rinjtë” e kishte të vështirë t’i përballonte “djemtë e detit” të Shkëmbit, që duket se janë brenda objektivit të tyre.

Çështja Flamurtari është më e nxehta. Edhe pa lekë, por renditet në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Teutën. Çuditërisht vlonjatët nuk ndihen. Mbase sepse Europën se kap dot, jo nga mundësitë reale, por nga borxhet që kanë.

Megjithatë, Flamurtari po respekton futbollin me shumë se çdo skuadër tjetër. Shembullin e dha ndaj Laçit, të cilët humbën një shans të mirë për t’i vazhduar të qetë edhe këto 180 minuta të mbetura.

Por nuk ishin vetëm kurbinasit ata që bënë hap fals. Ishin edhe kuksianët që gabuan në llogaritë e tyre ndaj Skënderbeut. Korçarët shfrytëzuan rasti për të fituar një ndeshje morali, ndërsa Kukësi, që me sa duket tashmë mendon për fitimin e Kupës së Shqipërisë, e kompromentoi disi pozicionin e vendit të dytë në renditje.

Gjithsesi, le të presim ngjarjet në vazhdim…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!