Duka kërkon reforma, një mentalitet të ri…

Vëmendja e Qeverisë dhe e politikës ndaj sportit, nga viti 1990 e deri më sot, nuk ka qënë kurrë në lartësinë e duhur dhe vazhdojmë të jemi në të njëjtën qasje dhe sot

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga Sekretari Përgjithshëm Ilir Shulku, mori pjesë në tryezën e konsultimit “Lufta kundër dhunës në sport. Ndryshimet në Kodin Penal”, organizuar nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ku morën pjesë drejtuesit e të gjithë federatave sportive.

Ministrja Besa Shahini dhe zv.ministri Konstandin Shkurti, u ndalën të theksojnë në fjalën e tyre, se dhuna e shfaqur në sport në Shqipëri, është tentuar të luftohet nga vetë federatat sportive, por masat që kanë marrë këto federata, kanë qënë të pamjaftueshme dhe nuk kanë arritur t’i japin përfundimisht fund dhunës.

“Ka ardhur momentin që të ndërmarrim ndryshime dhe masa më strikte për adresimin e këtij fenomeni. Në këtë kuadër, për parandalimin e dhunës në sport, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ngritur një grup pune dhe kanë hartuar disa ndryshime në Kodin Penal”, theksuan ata.

Përfaqësuesit e federatave të pranishme në këtë tryezë, nënvizuan rëndësinë që ndryshimet mos të ngelen vetëm te Kodi Penal, por t’i kushtohet një debat i madh ndryshime ligjore, që kanë të bëjnë me aspektin financiar, duke parë vështirësitë që ka sot sporti në Shqipëri.

I drejtëpërdrejtë dhe konkret ka qenë në diskutimin e tij presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai falenderoi ministren Shahini për organizimin e tryezës konsultative dhe vëmëndjen ndaj sportit, duke theksuar ndërmjet të tjerash:

“Vëmendja e Qeverisë dhe e politikës ndaj sportit, nga viti 1990 e deri më sot, nuk ka qënë kurrë në lartësinë e duhur, nuk kemi qënë kurrë në qendër të vëmendjes dhe vazhdojmë të jemi në të njëjtën qasje dhe sot. Ne kemi bërë një draft me propozimet tona, për të ndërhyrë në disa ligje gjatë tryezës që zhvilluam me Kryeministrin Rama. Nëse nuk bëhet këto ndryshime në Ligjin për Sportin, Ligjin për Sponsorizimet, Ligjin për të ardhurat personale, Ligjin për TVSH-në dhe nxitjen e investimeve në sport, atëhere nuk kemi bërë asgjë.

Një nga ligjet që do ta ndihmonte më shumë sportin, është Ligji për Sponsorizimet. Unë kam pasur një takim me Ministren e Financave pak ditë më parë dhe më vjen keq të them se nuk shof asnjë mundësi që ai propozim që ne kemi bërë të pranohet. Ju, duke qenë nga Kosova, na sillni vetëm Ligjin e Sponsorizimit që aplikohet në Kosovë, asgjë më tepër,”- është shprehur në fjalën e tij presidenti Armand Duka, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të FSHF-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!