Prag-java e 32-të, gjithçka e hapur…

Secili shpreson te hapat e gabuar, tek të tjerët. Tani nuk falen më gabimet dhe çdo takim i mbetur duhet të luhet si një finale

Nga Shpëtim Gjoshi

Tirana, në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1. Një barazim i drejtë, për aq sa u pa në fushë, midis këtyre dy skuadrave që janë përfshirë në betejën që të siguron qëndrimin në Superiore. Skuadra që rivalizon me këto dy ekipe është dhe Kastrioti, që mori 3 pikë pa luajtur ndaj Kamzës.

Midis tyre gara mbetet e hapur për vendin e 8-të në renditje. Secili ekip shpreson te hapat e gabuar, tek të tjerët. Shpresat ende janë, por tani nuk duhet te bëhen më gabime dhe çdo takim i mbetur, duhet të luhet si një finale, pa i lënë hapësira kundërshtarit.

Për të qenë të suksesshëm këto skuadra nuk duhet të konsultohen me frikën, por me shpresat, nuk duhet të mendojnë për atë që ka shkuar, por për potencialin e papërmbushur, nuk duhet të shqetësohen për dështimet, por për atë që mund të bëjnë në javët e mbetura.

Eshtë një ndjenjë e bukur për “t’u zgjuar” me 3 pikë të tjera dhe me më shumë mundësi e kuriozitet, duke pritur rezultatet e rivalëve të tjerë. Ky është pozicioni i Kukësit. Qëndron i qetë në “dritare” në prag të ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë duke menduar për Tirana – Skënderbeu. Ata, do të përballen me Skënderbeun në Korçë për ndeshjen e kthimit.

Shpresat e Flamurtarit, për të siguruar një vend në Europa League, kanë pësuar një tronditje të rëndë në Korçë, ku humbën prej rivalëve të drejtëpërdrejtë 2-0. Tani do të kenë përballë Partizanin, i cili një dorë e ka hedhur në kupën e titullit kampion. Takim i vështirë.

Teuta e zgjuar ndaj Kukësit, këtë herë me Luftëtarin duhet të bëjë gjëra ndryshe nga ato ndaj Tiranës, Flamurtarit, Kastriotit, për të qenë më konkrete në rivalizimin e Europa League.

Te Laçi, gjërat po shkojnë në rrugën e duhur dhe por duhet të përpiqen për shfaqur performacën që kanë nevojë ndaj Kastriotit, i cili është duke përjetuar një periudhë të artë.

Në javën e 32-të të Superiores, gjithçka është e hapur, gjithçka është e mundshme…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!