Gjysmëfinalet e Kupës, gjithçka e hapur…

● Në Kamëz, Kukësi fitoi 2-1 ndaj Skënderbeut, ndërsa në Gjirokastër, barazim pa gola midis Luftëtarit dhe Tiranës. Kualifikimi, çështje për t’u zgjidhur në kthim

Ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së 67-të të Shqipërisë, nuk sollën ndonjë gjë të veçantë. Në Kamëz, skuadra verilindore e trajnerit Gjoka fitoi 2-1 ndaj Skënderbeut, ndërkohë që në “qytetin e gurtë” të Gjirokastrës, gjithçka ndërmjet Luftëtarit dhe Tiranës u mbyll në “paqe”, 0-0.  Kësisoj, çështja e kualifikimit për në finale ka mbetur e hapur për takimet e kthimit, që do të zhvillohen më 8 maj në Korçë dhe në kryeqytet.

Kuksianët e nisën mjaft mirë takimin. Në minutën e 20-të, Rexhinaldo, pasi mori një pasim të gjatë nga Rroca, me mjeshtëri e dërgoi topin në rrjetën e portës së Dajsinanit. Në pjesën e dytë Skënderbeu ishte më kërkues. Por në çastin më të mirë të tyre, Shkurtaj përfiton nga një kundërsulm dhe i ndëshkon korçarët, duke i çuar shifrat në 2-0 për kuksianët. Gjithsesi, “ujqërit”, ngulmojnë, nuk pajtohen me rezultatin. Në minutën e 61-të, Bregu përfiton nga një gabim i portierit Frashëri dhe ia arrin të ngushtojë epërsinë e verilindorëve. Në vazhdim, kuksianët ia arrijnë ta menaxhojnë fitoren 2-1, ndërsa korçarët, bilbili përfundimtar i gjyqtarit Hamidi, i gjeti në kërkim të golit të barazimit, të cilën me siguri do ta kërkojnë në Korçë, në takimin e kthimit. Gjithsesi, Kukësi është i favorizuar, ka fituar 2-1.

Në takimin tjetër gjysmëfinal, atë që u zhvillua në Gjirokastër ndërmjet Luftëtarit dhe Tiranës, gjithçka u mbyll ashtu si nisi, në barazim 0-0. Vendësit nuk arritën ta shfrytëzonin faktorin fushë, duke ia lënë këtë epërsi bardhebluve të Tiranës për takimin e 8 majit, që do të zhvillohet në kryeqytet. Gjirokastritët, ndryshe nga sa pritej, nuk qenë në gjendje të ushtronin presion ndaj kryeqytetasve. Ata prisnin në gjysmëfushën e tyre, me synim për t’i befasuar bardheblutë nëpërmjet kundërshulmit, pa ia arritur të ishin efikasë. Ndërkaq, futbollistët e trajnerit Mema, sërish krijuan epërsi, krijuan edhe raste, por para portës së Bakajt nuk qenë të saktë, duke shpërdoruar mundësitë për shënim. Kështu, në Gjirokastër, gjithçka mbeti e hapur.

Takimet e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së 67-të të Shqipërisë, do të zhvillohen më 8 maj, respektivisht në Korçë dhe Tiranë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!