“Tërmet” 5-ballësh në Laç, shkërmoqet Teuta

Laçi-Teuta 5-0 (Okpotu 25′, Xhixha 32’, 78′, Lushkja 65′, Domgjoni 68′)

I eliminuar nga Kupa këtë mesjavë nga Tirana, Laçi pritej që sot të ishte i etur për tri pikë, por fitoren 5-0 ndaj Teutës së vendit të tretë, askush nuk e kishte menduar. Bardhezinjtë nën drejtimin e Starovës, po galopojnë ndjeshëm dhe sot edhe pse me disa mungesa, dhuruan spektakël në lojë e gola.

Kronologjia e pjesës së parë,  nis me gafën e portierit të Teutës. Isli Hidi, i cili pasi merr një top nga Arapi, tenton ta kontrollojë në hyrje të zonës, ndërsa sulmuesi kurbinas Oktopu, ia rrëmben sferën dhe pasi spostohet majtas, e depotizon në rrjetë.

E ndërsa pritej reagimi i durrsakëve, vjen dhe i dyti. Mane, jo ai i Liverpulit, por 30-vjeçari afrikan që ka luajtur deri te Goteborg, ndërmerr një aksion vetjak nga e majta. Asist numër një për Xhixhën dhe sulmuesi i talentuar laçian, godet për në portë. Hidi ndal në të parën, teksa topi rigjen sërish Xhixhën që këtë herë e kalon në rrjetë.

Në hije dhe tabela elektronike për largimin e Bushiç. Kamara në kontaktin e parë me topin shfaqet rrezikshëm, por vendasit e kanë ndarë mendjen. Sot dita e së vërtetës. Dhe nuk vonon goli i tretë. Në skenë sërish Mane, si zakonisht nga e majta. Aksion perfekt në të 65′ dhe asisti numër dy. Këtë radhë nga vija e “dytë” mbërrin Lushkja për të gjetur të tretin.

Teuta në tapet. Shkëmbi sheh t’i “shkërmoqet” ndeshja, ndërsa golat vinë nga të gjitha anët. Por Malik Mane në ditën më të mirë që kur mbërriti te Laçi, ka ruajtur dhe shërbimin e fundit para se të lerë fushën mes ovacionesh.

Në të 68′ historia përsëritet dhe Domgjoni zgjatet me kokë, duke mposhtur për të katërtën herë Hidin. Topi prek traversën dhe përfundon brenda portes. “Tymnaja” kaplon të gjithë në kampin e Teutës, aq sa ndihet dhe në tribunë. Presidenti Hasanbelliu, duke parë Teutën më “të zezë” të këtij edicioni, largohet nga impianti…

Për të ardhur te një tjetër njeri të ndeshjes. Redon Xhixha, djaloshi 20-vjeçar që së fundi është thirrur dhe nga kombëtarja U21, për herë të dytë në gol. Protagonist absolut në golin e 5-të të bardhezinjve. “Xhevahiri” me numër 19, pasi është rrotulluar në hyrje të zonës, ka gjuajtur rrufeshëm, duke shënuar golin e dites.

Në alarm Teuta, kërkon golin e nderit. I afrohet me Kamara, me topin që përplaset në tra. Pas dy minutave shtesë, vjen sinjalizimi i çertefikimit të një super fitorjeje të Laçit. Teuta gjen qetësi vetëm në… dushe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!