Shkarkohet trajneri Ramadan Ndreu…
● Humbja 2-1 ndaj Kastriotit sot, drejtuesit e klubit të Kukësit largojnë trajnerin Ndreu, i dyti pas Cungut
Pas Armando Cungut, edhe zëvendësuesi i tij, krutani Ramadan Ndreu, shkarkohet nga drejtimi i skuadrës kuksiane. Ka mjaftuar humbja 2-1 ndaj Kastriotit, sot për javën e 27-të të kampionatit, që drejtuesit e klubit verilindor të largojnë nga detyra trajnerin e tyre.
Lajmi është bërë shumë shpejt nga faqja zyrtare e klubit të Kukësit në rrjetin social në Facebook, në të cilin bëhet e ditur shkarkimi nga puna e trajnerit Ramadan Ndreu.
“FK Kukësi njofton se, pas humbjes sot në Fushë Krujë me rezultatin 2-1 me KS Kastriotin, shkarkohet trajneri Ramazan Ndreu . Trajneri nuk menaxhoi si duhet lojën dhe ishte shumë inaktiv në pankinë. Trajneri ka pasur mbështetje maksimale nga klubi dhe Presidenti, por humbja e sotme e ngarkon me përgjegjësi të plotë. Në vijim do kemi komunikime të tjera me publikun”, shkruhej në njoftim klubin.
Pas shkarkimit të Armando Cungu, Ramadan Ndreu, bëhet i dyti trajner që largohet nga pankina kuksiane gjatë këtij sezoni, i cili ka edhe 10 javë të tjera deri në përfundim.