Kastrioti 3 pikë shprese, Kukësi “humb” titullin…
●Kastrioti-Kukësi 2-1 (Roxher 63′, Ndreca 89′ / Shkurtaj 34′) Fitorja shpresë për Kastriotin dhe mbyllja e një ëndërre në sirtar për Kukësin
24-vjeçari Edison Ndreca “in extremis”, në minutën e 90-të, ka shënuar golin e një fitoreje të çmendur për Kastriotin, e cila veç 3 pikëve të çmuara për krutanët, i mban gjallë ende shpresat e tyre në luftën për mbijetesë.
Ndërkohë, pas kësaj humbjeje 2-1 ndaj Kastriotit në javën e 27-të në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës, skuadra e Kukësit i largohet akoma më tepër ëndrrës dhe synimit të saj për titullin kampion këtë sezon.
Pas një fillimi të mirë për miqtë kuksianë, të cilët edhe ia arritën të shënojnë me anë të Shkurtajt, pjesa e dytë foli tërësisht për krutanët.
Ata jo vetëm ia arritën ta ballacojnë rezultatin me anë të brazilianit Roxher, në sajë të luftës dhe këmbënguljes më të madhe ia arritën që në minutën e fundit, shënonin golin e fitores 2-1.
Ky rezultat për ta përkthehet në shpresë, ndërsa për kuksianët, mbyllja e një ëndërre në sirtar.
Kastrioti tashmë ngjitet në kuotën e 27 pikëve, 3 më pak se Tirana që renditet në vendin e 8-të, ndërsa Kukësi mbetet në kuotën e 45 pikëve, gjithnjë 9 më pak se Partizani që në mbrëmje do të luajë në “Selman Stërmasi” me Luftëtarin.
Ja dhe episodet e golave:
34′ – Vasil Shkurtaj kalon në epërsi Kukësin. Sulmuesi vlonjat i rrëmbet pasi i topin mbrojtësit Husein, shmang Bojom dhe me zgjuarsi e dërgon topin në cepin majtë të portës së Çekrezit. 1-0 për Kukësin.
63′ – Braziliani Roxher pas një rrëmuje brenda zonës, përfiton dhe gjuan me të majtën, topi përplaset në shtyllën pingule poshtë, më pas në shpinën e portierit Frashëri dhe përfundon në rrjetë. 1-1.
90′ – Pas një aksioni mjaft të bukur, mesfushori Ndreca ka lëshuar të majtën e tij, topi përplaset në shtyllën pingule dhe përfundon në rrjetë. 2-1 për Kastriotin! Shpërthen festa në “Redi Maloku”.