Andorra? Terreni, justifikimi i Bushit…

Trajneri i përfaqësueses U-21, Alban Bushi, sot paradite ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka folur për dy ndeshjet e para eliminatore, humbjen 2-1 ndaj Turqisë dhe barazimin 2-2 ndaj Andorrës modeste.

Sipas teknikut kuqezi, humbja ndaj Turqisë në “Elbasan Arena” ishte një aksident, pas një gabimi në mbrojtje që duhet korrigjuar. Ndërkohë, për takimin e dytë, barazimin me modestët e principatës së Andorrës, trajneri Bushi gjithçka e justifikoi me terrenin e stadiumit, ku u zhvillua ndeshja.

“Në ndeshjen me Andorrën nuk kishim kohën e duhur, sepse udhëtuam direkt. Në fushë plastike na u dëmtua Shehu. Kërkuam anulimin e ndeshjes për shkak të fushës. Megjithatë, të nesërmen ata vendosën të luanim atje. Na u vra edhe Malaj. Nuk është i pranueshëm ky rezultat, por, gjithsesi, duke parë rezultatet e tyre janë të justifikuara. Thosha gjithmonë pse janë kaq të fortë në shtëpi, por vjen si pasojë e fushës. Do ta shënonim shumë shpejt edhe golin e dytë, por u bë një gabim individual. Nuk duhet ta kishim marrë si barazim,” – u shpreh ai.

Trajneri Alban Bushi, u shpreh se ai nuk e ndien aspak presionin e ndonjë shkarkimi të mundshëm edhe pse ekipi që ai drejton në 15 ndeshje zyrtare, ka arritur vetëm një fitore.

“Kam evidentuar shumë lojtarë. Rast i fundit është Bajrami, që s’ka qenë tek ekipet e moshave. Ky është objektivi i FSHF-së. Këtë më kanë venë si objektiv. Duhet të çojmë sa më shumë në ekipin A. Lojtarë Shqipëria ka edhe nga Maqedonia. Skautët janë atje dhe po ndjekin lojtarë. Probleme kemi në repartin e mbrojtjes. Të gjithë shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët sulmues dhe mesfushorë. Po punohet me mbrojtjen dhe shpresoj që të kemi një mbrojtje më të fortë,” – duke nënvizuar se FSHF është e kënaqur me punën që ai bën.

Ndeshja e radhës për ekipin kuqezi të U-21 do të jetë më 7 qershor ndaj Turqisë në transfertë. Në grupin tonë rivalë janë edhe Anglia, Austria dhe Kosova të moshës U-21.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!