Kombëtarja, me autobus drejt Andorrës…

Kuqezinjtë e kombëtares, sot i janë drejtuar “mikroshtetit” të Andorrës, ku nesër, në orën 20:45 në stadiumin “Estadi Nacional”, do të përballen me përfaqësuesen e këtij vendi për eliminatoret e Euro 2020-s. Pas ndeshjes së humbur ndaj Turqisë, të premten në Shkodër, kjo është sfida e dytë e tyre në këtë aventurë kontinentale.
Delegacioni kuqezi, me në krye trajnerët e emergjencës Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, pas orës 9 të mëngjesit të së dielës, me një avion çarter janë ngritur në fluturim nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit për në drejtim të Barcelonës.
“Sporti IM” ka mësuar se rreth ores 11:30 avioni i kombëtares sonë është ulur në kryeqytetin e Katalonjës.
Që këtej kuqezinjtë tanë do të udhëtojnë për rreth 300 km me autobuza për të mbërritur në “mikroshtetin” e Andorrës pas orës 14, për t’u akomoduar
në vazhdim për ndeshjen e nesërme.
Sipas programit, kuqezinjtë në mbrëmje do të prekin edhe stadiumin e këtij qytet-shteti, ku do të bëjnë edhe një stërvitje njohjeje me tapetin prej tartani të këtij impianti.
