Duka “mea culpa” dhe divorci me Panuçin…

Shkarkimi i trajnerit të kombëtares Kristian Panuçi, një ditë pas humbjes së turpshme ndaj Turqisë në Shkodër në startin e eliminatoreve të Euro 2020-s, ishte lajmi kryesor dhe më i rëndësishëm për futbollin shqiptar gjatë gjithë ditës së shtunë.

Kreu i FSHF-së Armand Duka qe pranë ekipit kombëtar, bisedoi me kuqezinjtë para nisjes drejt Andorrës, udhëtim që do të kryhet të dielën paradite.

Ndërkohë, presidenti Duka, nëpërmjet një interviste në “Supersport”, ka shpjeguar edhe arsyet që çuan në divorcin me teknikun italian, ka pranuar përgjegjësitë, duke i mbyllur fjalët e tij, se nuk do të nxitohet për zgjedhjen e trajnerit të ardhshëm.

VENDIMI  “Prisnim që të kishte një energji ndryshe skuadra, një paraqitje ndryshe në ndeshjen e parë. Kuptohet se ishte një ndeshje e rëndësishme për të gjithë edicionin. Kjo është një arsye pse menduam që edhe pas një “Nation League” jo shumë të suksesshme të vazhdonim me Panuçin, sepse ndoshta të krijonte atë njohjen e duhur në skuadër dhe diçka do të ndryshonte. U pa një skuadër pothuajse inekzistente ndeshjen e parë, që na çoi në një vendimmarrje le të themi të detyrueshme për të ndryshuar diçka. Dhe ajo që mund të ndryshonim ishte pikërisht trajneri.

PËRGJEGJËSITË – Të gjithë në njëfarë mënyre jemi përgjegjës, qoftë dhe unë që kam emëruar Panuçin, qoftë skuadra, që duhej të demonstronte diçka më shumë në fushë. Besoj se edhe ai vetë do të dëshironte të bënte më shumë e të arrinte më shumë. Ishte eksperienca e tij e parë si trajner i një përfaqësueseje, por nuk arriti, nuk arriti të merrte maksimumin që mund të japim.

TË FITOJMË KOHË – Për shumë arsye e ndërpremë këtë marrëdhënie për të menduar më shumë për të ardhmen dhe do të mendojmë më gjatë për ndeshjet e qershorit, në të cilët kush do që të jetë stafi do të ketë kohë për ta përgatitur skuadrën, pasi atëherë do të kemi mundësi për ta grumbulluar skuadrën rreth dy-tre javë.

TRAJNERI I RI – Edi Rejan e kam takuar në stadium pas ndeshjes, kishte ardhur për punët e tij, për të vëzhguar disa futbollistë. Nuk di ta them tanët apo të Turqisë. Nuk kam menduar asgjë se kush do të jetë trajner i Shqipërisë. Pas ndeshjes me Andorrën do të mendojmë për teknikun që i duhet skuadrës së bashku me stadin teknik të federatës. Nuk është një gjë e lehtë”, deklaroi presidenti Duka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!