Fitorja ndaj Andorrës, refreni i kuqezinjve…

Në konferencën e zakonshme për shtyp para çdo ndeshjeje, për kuqezinjtë tanë ka dalë trajneri i emergjencës, Ervin Bulku i shoqëruar edhe nga kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj. Ata kanë folur për gjendjen e ekipit në prag të sfidës ndaj Andorrës, duke shprehur bindjen se fitorja e ndeshjes së nesërme është plotësisht e mundshme dhe se kuqezijtë tanë i kanë forcat për të ndryshuar situatën e krijuar pas humbjes me Turqinë.

Unë jam pranë skuadrës dhe e njoh mirë grupin, ndaj edhe më takonte të marr një përgjegjësi të tillë, ndonëse jam një trajner i ri. Sfida me Andorrën është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të fitojmë nesër, që të mund të mendojmë për objektivin tonë. Eliminatoret sapo kanë filluar dhe kemi humbur vetëm ndeshjen e parë, ndaj të përqendrohemi te sfida e nesërme. Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë humbje ndaj Turqisë. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe do të luajmë të bindur në suksesin nesër. Unë jam i ri dhe fati më solli në krye të Shqipërisë, ndaj kam bindjen e plotë te çunat, që nesër do fitojmë dhe unë ta nis me një rezultat pozitiv”, – u shpreh ndër të tjera, trajneri i ri Ervin Bulku.

“Nuk duhet të mendojmë shumë për trajnerin, pasi kemi një ndeshje shumë të rëndësishme që duhet ta fitojmë patjetër. Duhet të triumfojmë për moralin e Shqipërisë dhe për moralin tonë, ndaj të shohim përpara dhe të përqendrohemi te ky takim. Duhet të fitojmë edhe për të qëndruar brenda objektivave tona. Me njohjen që kam me çunat, jemi të gjithë me mendjen që këtë takim duhet ta fitojmë patjetër. Ata janë në formë shumë të mirë, ndaj besoj që e kemi marrë veten edhe moralisht, dhe jemi gati të zbresim në fushë për fitore nesër”, – ka deklaruar ndërmjet të tjerash, kapiteni i kuqezinjve Hysaj.

Sfida e dytë e Shqipërisë për eliminatoret e Euro 2020-s do të zhvillohet nesër ndaj Andorrës, duke nisur nga ora 20:45 në “Estadi Nacional”. Ky takim do të gjykohet nga një “ekip” gjyqtarësh sllovakë, me kryesor Filip Glovan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!