Kuqezinjtë, bast me FSHF-në: 6000 euro për kokë!

Shqipëria duket se e ka marrë shumë seriozisht sfidën e 22 marsit në “Loro Boriçi” ndaj Turqisë. Në vigjilje të “Euro 2020”-s, kombëtarja kuqezi, nuk ka ndërmend të përsërisë veten si në Nations League, ndaj të gjithë janë në këmbë.

“Sporti IM”, ka mësuar, se në një takim sekret mes futbollistëve dhe drejtuesve të federatës, ka ndodhur ajo që pak kush e kishte menduar. Kanë qenë vetë futbollistët, të cilët kanë kërkuar të venë bast me FSHF-në, kundrejt një shpërblimi në rast fitorjeje ndaj turqve.

Krerët e FSHF-së, të mësuar me shpërblime ndaj lojtarëve kuqezi, e kanë pranuar mënjëherë propozimin, madje sipas burimeve tona, ka pasur një kontratë të “noterizuar” xhentilmenësh mes palëve.

Bëhet fjalë për një shifër të pranueshme për “kasafortën” e FSHF-së. Nëse Shqipëria mund Turqinë të premten, atëherë secili futbollist i kombëtares, do të përfitojë në trajtë shpërblimi shumen e 6 mijë eurove.

Por jo gjithçka nuk mbaron këtu. Futbollistët e kombëtares kuqezi, edhe në sfidën pasardhëse, do ketë një superpremio. Me gjasë, shpërblimi për fitoren ndaj Andorrës, në transfertë, do të jetë edhe më i madh, ndërkohë që gjithçka do të jetë e varur nga suksesi i parë me Turqinë.

E thënë ndryshe, paratë e takimit të dytë në grupin “H”, varen tërësisht nga rezultati i së premtes. Në të kundërt, fondi zhbëhet dhe basti prishet…

Kësijoji, Shqipëri – Turqi, merr përmasat e një supersfide. Edhe pse në kampin kuqezi ka patur zhvillime jo dhe aq të mira (dhe këtu bëhet fjalë për largime apo dëmtime), mjedisi në Durrës është optimist.

Krejt i kundërt me atmosferën ftohtë që ndjehet në radhët e tifozerisë shqiptare. E pra, ndeshja kundër Turqisë, është thuajse përcaktuese për fatet dhe vijimin e aventurës së kombëtares së shqiponjave në Euro 2020.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!